Ne rrjet

Shkëlqimi dhe rënia e grekes Eva Kaili: Nga rebele e PASOK-ut, në ‘muzë’ të emirëve nga Katari

Ish-nënkryetarja e Parlamentit Europian, 44 vjeçe, e filloi karrierën si prezantuese televizive në Selanik. Debutimi në politikë, manovrat kundër ish-liderit socialist Papandreu, ardhja në Strasburg. Udhëtime të dyshimta dhe valixhe me para

Gazeta Si – Thonë se Eva Kaili ia detyron fillimin e karrierës së saj politike ngjashmërisë me Eleni Raptin, deputete e Selanikut për “Néa Demokratia”.

Në të vërtetë, pikërisht në kërkimin e dëshpëruar të një fytyre të re për t’iu kundërvënë kësaj të fundit, një kandidate e shkëlqyer në zgjedhjet greke të vitit 2004, drejtuesit lokalë të Pasokut e përqendruan vëmendjen e tyre tek gazetarja e re, prezantuese e njohur e “Mega Channel”, e cila studionte arkitekturë, marrëdhënie ndërkombëtare dhe ekonomi, bjonde dhe tërheqëse ashtu si Rapti.

E para mes të pazgjedhurve

Por nuk shkoi mirë, sepse Kaili ishte e para nga të pazgjedhurit në qytetin e dytë më të madh të Greqisë. Dhe ndoshta aty filloi edhe armiqësia e saj ndaj Georgios Papandreut, i cili i zgjedhur si në Selanik, ashtu edhe në Patra, zgjodhi të parën, duke lënë jashtë Eva Kailin.

Megjithatë, është e vërtetë që kur tre vjet më vonë, në 2007, grekët u rikthyen në votim dhe këtë herë ajo hyri në parlamentin helen në kurrizin e mbi njëqind mijë preferencave, sërish për Pasok, Kaili doli kundër liderit socialist, i cili gjithmonë nuk ka pasur besim tek ajo.

Lojë e pistë

Por në këtë rast ka disa arsye, nëse është e vërtetë se Kaili ishte shkaku përfundimtar i rënies së Papandreut.

Ndodhi në vitin 2011, kur në kulmin e krizës greke, kryeministri socialist vendosi të pranonte masat shtrënguese të vendosura nga BE, nën presionin e Merkelit dhe Sarkozy-t, por deklaroi se donte t’i paraqiste ato në një referendum.

Pasi e thirri në samitin e Nicës, Sarkozi e mori për keq, por mbi të gjitha presidenti i Komisionit José Manuel Barroso luajti pis, duke bindur ministrin grek të Financave, Evangelos Venizelos, të rebelohej dhe të organizonte një revoltë brenda partisë.

Papandreu kishte vetëm 2 vota të shumicës në Parlament, por përpara se të bëhej votimi për shpalljen e referendumit, ai mori një letër nga një deputet: “Mbi interesin personal ose partiak, duhet të vendos atë kombëtar. Unë do të votoj kundër jush”.

Firma ishte ajo e Eva Kailit, e imituar menjëherë nga dy kolege të tjera. Papandreu hoqi dorë nga referendumi dhe dha dorëheqjen disa ditë më vonë.

Vota kundër Maqedonisë

Nga të gjitha qëndrimet e Kailit në konflikt me partinë e saj, mbetet i famshëm ai ultra-nacionalist kundër marrëveshjes që i dha fund betejës së gjatë midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, me të cilën Athina njohu të drejtën e kësaj të fundit për ta përcaktuar veten si të tillë.

“Një dëm i pariparueshëm për historinë e Maqedonisë (në kuptimin e rajonit grek) dhe për grekët”, tha deputetja socialiste e asaj kohe, duke përqafuar plotësisht linjën e Néa Demokratia-s.

Kali i Trojës

Nikos Androulakis, lideri i asaj pak që ka mbetur nga Pasok-u, i cili ndërkohë përjashtoi eurodeputeten nën akuzë në Bruksel, e përkufizoi Kailin si “Kalin e Trojës” të qeverisë konservatore brenda Partisë Socialiste, një kolonë e pestë që nuk e ka humbur kurrë mundësinë për të pushuar zjarrin miqësor.

Dhe përmend episodin e fundit të skandalit të përgjimeve, të porositur nga qeveria kundër opozitës, autentike greke “Ëatergate”.

Kaili, në vend që t’i dënonte, tha se nuk ishin asgjë të re apo të çuditshme, duke i deklasifikuar si të parëndësishme.

E kudondodhur

Kapërcimi drejt politikës europiane u bë në vitin 2014 me zgjedhjet në Parlamentin Europian, pasuar nga rikonfirmimi në vitin 2019 me ngjitjen në postin e nënkryetares së PE, e shpallur në votimin e parë me 454 vota mes 14 zëvendësuesve të Roberta Metsolas,  nga ku kujdeset për marrëdhëniet me Lindjen e Mesme.

Në Bruksel dhe Strasburg, Kaili dukej e kudondodhur, aktive në komisione, trupa vlerësuese, delegacione parlamentare, ndërgrupe, misione speciale etj.

Gjithmonë e gatshme në fjalimet e saj për të mbështetur kauzat fisnike, si të drejtat e njeriut apo lufta kundër korrupsionit.

Kauzat e saj ishin çështjet dighitale dhe teknologjia e lartë, disa ditë më parë ajo shpjegoi se BE-ja duhet të bëjë shumë më tepër për të ndihmuar qytetarët të fitojnë aftësi të caktuara digjitale.

“Kolegji i Mbrojtjes” i Emirëve

Pastaj, ose ndoshta më parë, erdhi Katari, butësia e parezistueshme e qenies. Pak nga pak, Kaili u bë kreu i njohur i “kolegjit të mbrojtjes” të Emirateve në Parlamentin e Strasburgut.

Fjalimi i 21 nëntorit të kaluar ishte surreal, kur seanca plenare votoi një rezolutë që “dënon vdekjen e mijëra punëtorëve migrantë”.

Kaili, përkundrazi, u bë një mbrojtëse e Katarit, të cilin e cilësoi si një “vend në ballë të të drejtave të punëtorëve”, ndoshta duke e ngatërruar këtë të fundit me viktimat  në punë.

Më pas, dhjetë ditë më parë, ajo hyri në Komisionin e Drejtësisë, anëtare e të cilit nuk është, për të votuar pro liberalizimit të vizave të hyrjes në zonën Shengen për qytetarët e Katarit.

Kur Katari kishte shtyrë në momentin e fundit udhëtimin e Delegacionit Parlamentar për marrëdhëniet me Gadishullin Arabik, i cili donte të vizitonte ambientet e Kupës së Botës dhe të verifikonte ndryshimet në legjislacionin e punës, të paralajmëruara nga drejtuesit e Dohas, Kaili ishte nisur vetëm në Emirate.

Aty, e pritur me bujë të madhe, ajo kishte vlerësuar reformat e regjimit, duke pretenduar se përfaqësonte 500 milionë europianë.

Siç komentoi deputetja gjermane e të Gjelbërve, Hannah Neumann, e cila drejton delegacionin, “ndjeva se diçka po ndodhte pas shpinës sime. Autoritetet nga Katari nuk i ftuan parlamentarët, duke e ditur se do të kishin një pozicion më të balancuar dhe e ftuan atë duke ditur se çfarë do të thoshte”.

Valixhja dhe babai

Provat e fundit nga policia e Brukselit, flasin për një valixhe plot me kartëmonedha, 600 mijë euro, e marrë në mënyrë të sikletshme nga një baba që i mbante në banesë, ku grekja 44-vjeçare jetonte me partnerin e saj italian, Francesco Giorgi, ish-asistent parlamentar i të dyshuarit kryesor të skandalit “Qatar-gate”, Pier Antonio Panzeri.

Bukuroshja Eva dhe instruktori i lundrimit, i palestruar dhe simpatik, formonin një “çift magjepsës”, sipas një ish-kolegu të grupit socialist.

Giorgi është gjithashtu i apasionuar pas të drejtave të njeriut, por edhe ai është i arrestuar.

Të bukur dhe të mallkuar? Prezumimi i pafajësisë vlen ende në fakt, por eurodeputetja socialiste Eva Kaili detyrohet për disa shpjegime më shumë.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë