Politike

‘Duam kandidat, s’duam kandidat’ / Nga pakënaqësia e PD së Shkodrës tek ‘bojkoti’ i Korçës, çfarë llogarish po bën Alibeaj?!

Kryesia e Partisë Demokratike e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj vendosi që të mos nxjerrë kandidat për kryebashkiak në Bashkinë e Shkodrës, duke i lënë ‘në dukje’  rrugën e hapur Bardh Spahisë kandidatit të koalicionit Meta-Berisha.

Enkelejd Alibeaj (i cili një ditë më parë tha se për emrat u dëgjua baza e PD-së) duket nuk i ka bërë llogaritë tamam me strukturën. Ose loja e dyfishtë që po bëhet në qendër po plas në bazë.     

Kreu i PD-së në Shkodër, Xhevdet Amuli, shprehu hapur pakënaqësinë për vendimin e kryesisë, duke shtuar se janë të detyruar të mos nxjerrin kandidat.

”Kështu e ka parë të arsyeshme, kryesia e PD-së, vendimi merret nga kryesia e PD-së, pavarësisht se Alibeaj është kryetari në detyrë, por gjithsesi ai nuk mund të vendos pa marrë vendimin dhe votimin e kryesisë së PD-së (Shkoder)”, u shpreh ai.

Në një intervistë për median lokale Amuli është shprehur më tej se nuk do ta mbështesë kandidaturën e Spahisë për kryebashkiak,  dhe se do të orientojnë votën e demokratëve vetëm për kandidatët për këshilla bashkiakë që përfaqësojnë PD e Alibeajt.

“Ne do të votojmë PD, figurat e PD, këshillat bashkiakë, kjo është zgjidhja” tha ai.

Qëndrimi i PD-së së Shkodrës vjen në një kohë aspak të favorshme për Bardh Spahinë, i cili përballë tij do të ketë Benet Becin e PS-së, nisur edhe nga raportet e reja politike që janë krijuar aty, kryesisht me largimin e ish-deputetit, të LSI-së, Agron Çela, veprim ky që është reflektuar edhe në listën e këshilltarëve bashkiak të PS për Shkodrën që dominohet nga ish-njerëz të Metës.

Për herë të parë anëtarë të kryesisë dhe deputetë të PD-së u shprehën pa menduar dy herë nëpër media se vendimi për drejtimin e bashkive i ishte lënë degëve nëse do të sillnin apo jo kandidat.

Pati qëndrime zyrtare se për 61 bashkitë, në 40 prej tyre degët nuk e kishin parë të arsyeshme të sillnin kandidat.

Ndërkohë filluan dorëheqjet edhe nga ata që ishin propozuar zyrtarisht.

Pakënaqësia, më shumë sesa për atë që po ndodhte në bazë kur po garojnë  kandidatët e primareve, lidhej me Alibeajn.

Gjergji Gjata, kandidati i PD-së për Korçën, dha dorëheqjen të hënën bashkë me listën për këshillin bashkiak, me argumentin se Alibeaj në momentin që kishte çuar listën në KQZ kishte bere ndryshime emrash në këshill, gjë që sipas tij, ishte vendosur ndryshe nga dega.

Disa kryetarë degësh të tjerë nën zë janë shprehur se ata ishin të ethshëm për të propozuar emra për kryetar nga baza porse kjo nuk ishte parë e arsyeshme nga Alibeaj dhe kryesia qendrore.

Dalja publike e kryetarit të PD-së së Shkodrës për të nxjerrë një kandidat të tyre (ndryshe nga sa u vendos në qendër) dhe  tërheqja njëherazi e disa emrave në anën tjetër tregon më së paku dy arsye; Ose Alibeaj nuk e ka nën kontroll shumicën e degëve; ose ai (pavarësisht qëndrimeve publike) po bën lojë të dyfishtë për kalkulime politike pas zgjedhjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë