Që prej momentit kur u certifikua rezultati i zgjedhjeve të 14 majit, Sali Berisha thotë se nuk e njeh rezultatin, pasi janë të vjedhura, mirëpo kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu thekson se në këto kushte duhet mbajtur një qëndrim konkret, jo vetëm akuza. I ftuar në A2 CNN, Mediu tha se për aq kohë sa Berisha thotë se nuk njeh rezultatin, atëherë do duhet të dalë në një përfundim nëse do pranojë të hyjë në Këshillat Bashkiak ose jo.
“Kur ti thua nuk do njoh rezultatin do duhet të mbash qëndrim nëse do të hysh në Këshillin Bashkiak ose jo. Nëse ke kontestime duhet të mbash qëndrim formal”, u shpreh Mediu.
Në këtë pikë, Berisha dhe Meta duket se kanë moskoordinim. Berisha thotë se nuk njeh zgjedhjet, nga ana tjetër Meta shprehet se këshilltarët e tij do futen në Këshilla dhe do të bëjnë transparencën e munguar. E ky moskoordinim pas zgjedhjeve, për Mediun, nuk është aspak surprizues.
“Po mirë kanë qenë mjaft të koordinuar deri tani, do ketë dhe moskoordinim më pas, e prisja, jemi njerëz, dhe është normale që të kenë qëndrime të ndryshme, apo interesa të ndryshme”, tha ai.
Përveç analizës së zgjedhjeve të 14 majit, që Mediu e quan një detyrim të opozitës, ai vë theksin se tashmë ato janë përpara një detyre mjaft të vështirë që do duhet të nis me Reformën Zgjedhore. Mediu jep 3 hapa që do duhet të ndjekë më tej opozita, në të kundërtën ai flet se ky skenar do të përsëritet edhe në zgjedhjet e ardhshme.
“Opozita duhet të ketë njerëz që kalojnë hundën e tyre, deri tani nuk ka asnjë zhvillim për reformën zgjedhore, ka iniciativa individuale, që nuk diskutohen brenda opozitës dhe unë këtë shpresoj që në krye të grupit parlamentar të opozitës të atyre që janë zgjedhur në atë kohë në logon e PD për sa kohë i kemi zgjedhur, do ulen të diskutojmë se cilat janë hapat ligjore, nga pikëpamja e administrimit të procesit zgjedhor dhe mënyrën e funksionit opozitar, nëse nuk e bëjmë këtë nuk kemi bërë asgjë ”, theksoi Mediu.
Kreu i Partisë Republikane ka folur në lidhje me situatën në të cilën ndodhet sot opozita shqiptare, referuar edhe rezultatit të arritur në zgjedhjet e fundit të 14 majit.
Mediu nuk ngurroi të vërë gishtin ndaj të dyja PD-ve, që sipas tij duhet të kishin gjetur gjuhën e përbashkët sa i përket kandidatëve të propozuar dhe jo të merreshin me deklarata duke sharë njëri – tjetrin.
Sipas Mediut, ideja për të dalë me një pol më vete, prapë edhe në këto zgjedhje nuk do të kishte funksionuar, ndërsa shtoi se, ka nevojë për një logjikë tjetër politike opozita. Kreu i PR vijoi më tej duke thënë se, opozita fatkeqësisht po shkon drejt një qasjeje me individët, por në fakt ajo duhet të shkojë drejt një qasjeje me idetë.
“Çështja është që PD debatin e bën rreth individëve, jo rreth racionalitetit të ideve. Ajo që është e para është ideja, dhe pas saj lidhen njerëzit. Ne kemi nevojë për një identitet politik të qartë.
Po sepse sikurse ka njerëz që duan të bashkohen, ka edhe njerëz që duan të ndahen. Ashtu sikurse ka njerëz që shikojnë përtej hundës së tyre, ka edhe njerëz që shikojnë vetëm xhepin dhe interesin e tyre. Fatkeqësisht brenda opozitës ka njerëz që dashurinë e kanë me gramë dhe përbuzjen e kanë me okë dhe urrejtjen e kanë me tonë”, tha Mediu.
I pyetur se për kë po flet ai u përgjigj:
“Kush ka vesh le ta dëgjojë. Të gjithë ata që urrejnë kolegët e tyre dhe thonë ky bën, ky s’bën, do të thotë që nuk janë në sens të drejt logjik. Politika kërkon të bëjë bashkë atë që është ndryshe. Individët duhet t’i qasen ideve ndryshe për të nxjerrë atë që është racionale, dhe secili sjell një lloj marrëdhënieje dhe sinergji elektorale.
Ne arritëm në një pikë që mund të vinim të dyja Partitë Demokratike le ta quajmë në një koalicion qoftë edhe me Partinë Republikane, apo me ndonjë forcë tjetër të djathtë, por nuk u pranua. Ishte pikërisht debati i brendshëm dhe nuk është as Enkelejd Aliebaj, as Lul Basha, por e gjithë pjesa tjetër, Jorida Tabaku, Gazment Bardhi, Bledion Nallbati, Saimir Korreshi e të tjerë me radhë, që ishin gati të zgjidhnin një kandidat të vetëm dhe të bënin fushatë të gjithë bashkë. Kjo nuk u pranua sepse ishin këto përplasjet e brendshme. Pra, ajo që unë po them është që, çfarë logjike kishte për të vendosur kandidatë në 12 apo 14 zona për një gjë që nuk vlente, qoftë nga pikëpamja logjike e një partie të madhe, qoftë politike, qoftë edhe elektorale” tha Mediu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje