Politike

A e shpëtoi grupi “Alibeaj” mandatin e Xhaçkës? Bardhi e hedh topin te Berishistët

Zbardhja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ankimin e grupimit “Alibeaj” për mandatin e deputetes socialiste, ministres Olta Xhaçka po shkakton një përplasje brenda demokratëve. Në media po aludohet se pikërisht ky grupim dhe ajo i që përfaqësohej nga Berisha e shpëtuan mandatin e Xhaçkës, pasi Kushtetuesja nuk veproi si pas precedentëve të mëparshëm, ku i hoqi mandatin socialistëve Koço Kokëdhima e ilir Beqajt, por i kërkoi Kuvendit që të shprehej më parë.

Sulmi ndaj këtij grupimi erdhi edhe nga ish-këshilltari i presidentit Ilir Meta, Bledar Dervishaj, i cili theksonte se Alibeaj dhe deputetët e tjerë nuk po flasin për fitore të parakohshme, duke theksuar se Kushtetuesja dobësoi kompetencat e veta dhe i dha mazhorancës më shumë kompetenca seç duhet.

“Për sa kohë që Kuvendi nuk ka vendosur për dërgimin e çështjes në Gjykatë, ajo nuk mund të aktivizohet për shqyrtimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Këtë thotë gjykata Kushtetuese. Nga leximi i argumenteve të shumicës, unë mendoj se Gjykata me këto dy vendime ka pakësuar jo vetëm mekanizmat e kontrollit dhe balancës brenda Kuvendit, por ka pakësuar dhe kompetencat të vet Gjykatës Kushtetuese”, shkruan Dervishaj në një reagim të tij.

Por këto qëndrime ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Gazment Bardhi, i cili është një prej 14 firmëtarëve të këtij ankimimi.

Ai thekson se Gjykata merr në shqyrtim çështjen vetëm pas vendimit të Kuvendit. “Pra, çështja e shqyrtimit të mandatit në Gjykaten Kushtetuese ndodh VETËM me vendim të Kuvendit. Për pasojë E VETMJA rrugë kushtetuese për të çuar përpara këtë çështje është kërkesa që GJK të detyrojë Kuvendin për të dërguar çështjen në GJK. Është e njëjta rrugë që është ndjekur në rastin e Koço Kokëdhimës, Valentina Leskajt, Rakip Sulit, etj”, thekson deputeti demokrat.

Ndërsa kërkesën e grupimit Berisha, Bardhi e konsideron si një tentativë për të shpëtuar Xhaçkën. “Vendimet e GJK e konfirmuan kërkesën e drejtë të disa deputetëve të PD, mes të cilëve isha dhe unë, duke rrëzuar një tjetër kërkesë, që edhe një student i vitit të parë juridik e kupton se është një tentativë për ta varrosur çështjen, duke kërkuar atë për të cilën GJK ka 7 vjet që e ka zgjidhur në mënyrë përfundimtare. Ky është i njëjti grup që refuzoi t’i bashkohej kërkesës sonë për komisionin hetimor për investimet strategjike!”, thekson Bardhi në reagimin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë