Nga Gazeta ‘SI’ – Në turin e falendërimeve në Dibër, kryeministri Edi Rama ka dhënë lajmin se të enjten Parlamenti do të votojë rritjen e pagave.
“Keni dëgjuar gjatë fushatës që çështja e rritjes së pagave ishte një blof sepse faktikisht ligji që shkoi në Parlament, ngeci aty, por në fakt e vërteta është që ligji për rritjen e pagave kalon në Parlament këtë javë dhe arsyeja pse ligji ngeci ishte sepse unë thoja, “qeverisë e deputetëve do tu rritet paga të fundit fare, pasi të ketë mbaruar rritja për të gjithë”. Mirëpo, me ministrat bëra si bëra e ranë dakord. Kur shkoj në Parlament deputetë thanë “jo, i duam pagat tani se lodhemi shumë”. Kështu që ju do ti mirëkuptonin por ajo që ka rëndësi është një gjë, që me kalimin e ligjit të pagave i cili do garantojë fillimin e asaj rritjes së madhe që kemi thënë që mbyllet në harkun e një viti, pagat e rritura do të merren që nga 1 prilli që shkoi, pra problemi i vetëm do jetë që kur të merret paga e parë, mos kujtojnë se ajo është paga e muajit, se aty do jetë paga e prillit dhe e majit dhe kështu do jenë dy paga”, tha Rama.
Ndërsa sa i përket zgjedhjeve të 14 majit, akuzat e Berishës dhe Metës për manipulim votash, i cilësoi si të neveritshme.
“Është vërtetë e neveritshme kur dëgjon se si i morëm vota ne, por një gjë ju them, mos u mërzisni fare kur i dëgjoni sepse sa më vonë ta kuptojnë se si marrim ne votat, aq më shumë ne do marrim vota.
E të mendosh që vetëm me gratë ne kemi bërë takime që ata nuk i bënin dot duke mbledhur gjithë burrat e dynjasë dhe pastaj të mendosh që kjo lidhja jonë e fortë me krimin, bazohet tek gratë e që gjithë këto gra këtu janë kriminele të votës së lirë, atëherë i bie që ne jo që nuk na mund dot kush por mbas kësaj, do mendohen mirë, a ia vlen ti hysh punës për të provuar për të na mundur se për të na mundur nuk na mundin dot.
Merrini me humor këto, mos i merrni seriozisht fare se vërtetë është e neveritshme por lërini mbrapa. Ajo që kemi ne tani përpara është që të bëjmë çdo gjë që themi e të themi çdo gjë që bëjmë”, theksoi Rama.
Humbjen e opozitës e sheh si pozitive sa i përket fatit të ringritjes së Partisë Demokratike.
“Kjo disfatë skandaloze, është disfatë e një grushti njerëzish, e dy njerëzve dhe e një rrethi të verbërish pas tyre do ta përshpejtojë pa diskutim të procesin e ripërtëritjes edhe të opozitës. Më keq nuk ka. Kjo është një përgjegjësi e madhe për ne, sepse na ka sfiduar duke na ngarkuar me barrë besimi si asnjëherë më parë. Natyrisht për të na dhënë mundësinë për të na provuar se ne e mbajmë këtë barrë”-u shpreh Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje