Enkelejd Alibeaj ka mbledhur grupin parlamentar dhe kryesinë në një nga hotelet e Tiranës për të vendosur ditën e fundit të regjistrimit ta partive politike në KQZ mbi strategjinë që do të ndjekin.
Deputetja Jorida Tabaku i tha medias para takimit se në këtë moment të gjithë demokratët të ngrihen mbi interesat personale.
‘S’ka asnjë alternativë tjetër, përveçëse të bashkuar. Kundërshtari politik është përballë nesh jo në anën tonë. Nuk ka rëndësi fare në këtë moment që të shohë interesin personal, por të ngrihemi mbi veten tonë dhe të formojmë një forcë serioze për zgjedhjet e 14 majit, i bëj thirrje kolegëve të PD-së që së bashku të ofrojmë një ofertë seriozë për shqiptarët. Është e padrejtë që në këtë moment të shohim pjesën tonë personale. Si qytetarë si anëtarë e thjeshtë e PD-së do të jem gjithmonë për bashkimin e PD-së”, tha ajo.
E pyetur nga media se Basha figuron ende kryetar me letra, ajo u përgjigj: Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen, Lulzim Basha është e shkuara e PD-së, të shohim nga e ardhmja.
Ndërkohë Enkelejd Alibeaj tha gjatë mbledhjes së kryesisë me dyer të mbyllura:
“Siç deklaruam të premten në mbrëmje, vendimi i Gykatës së Apelit, përbën për Partinë Demokratike, për të gjithë ne, një moment të veçantë përgjegjësie për të rimarrë me energji të reja kursin e forcimit, rritjes dhe fitores.
Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë, por jemi me të vendosur se kurrë për t’ja dalë me demokratët pa dallim, me zgjedhësit tanë, me qytetarët shqiptarë, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë perëndimorë, me SHBA, vendet e BE-së, me Britaninë e Madhe.
Nga sot fokusi kryesor i gjithë veprimtarisë sonë politike janë zgjedhjet vendore të 14 Majit.
Me pjesëmarrjen, me kandidatët , me garën, me synimet dhe me rezultatet tona në këto zgjedhje duhet të nderojmë historinë e Partisë Demokratike;
Të afirmojmë Partinë Demokratike si alternativa kryesore e qendrës së djathtë demokratike, kombëtare, perëndimore dhe euro-atlantike në Shqipëri;
T’i japim pushtetit vendor fytyrën e alternativës sonë demokratike;
Të vendosim dhe të synojmë objektiva ambicioze, të hedhim bazat e sigurta të fitores së madhe në zgjedhjet parlamentare për largimin e qeverisë së korruptuar deri në palcë të Edi Ramës, dhe duke bërë realitet rrotacionin jetëdhënës të pushtetit që presin me etje të shpallur shumica e shqiptarëve.
Për këtë :
1-Në lidhje me kandidatët për këshilltarë bashkiakë:
Duhet të fillojnë menjëherë nga puna duke ftuar demokratët dhe intelektualët rreth saj të shprehin interesin për të qenë pjesë e listës së këshiltarëve të PD-së në bashkitë respektive. Paralelisht, kjo Kryesi do të miratojë një udhëzim të detajuar për mënyrën e zgjedhjes dhe renditjes së tyre në mënyrë demokratike dhe të drejtë.
2- Në lidhje me kandidatët për kryetarë të bashkive;
Në funksion të bashkimit, duke konsideruar realitetet që kanë prodhuar primaret e mëparshme të PD-së në prag të zgjedhjeve të vitit 2021, votimet me primare nga grupi i Rithemelimit dhe kandidime të tjera, i propozoj kësaj kryesie hapjen në princip ndaj gjithë prurjeve në fjalë, në mënyrë eksplicite ndaj kandidatëve demokratë të primareve gjithashtu, me synim daljen me kandidatë unik.
3-Në lidhje me aleancat;
PD merr përsipër ti prijë ndërtimit të një Aleance sa me të gjerë të mundshme të gjithë partive të qendrës së djathtë, me synim maksimizimin e votave të një të djathtë plurale ku secili subjekt zhvillon identitetin e vet politik brenda kornizës përbashkuese të vlerave demokratike, kombëtare dhe Perëndimore”.
Të njëjtin qëndrim përcolli edhe deputeti Gazment Bardhi.
“Secili prej nesh ka bërë betejë për ta bërë Partinë Demokratike fituese, alternativë qeverisëse. Gjatë kësaj kohe ka nevojë vetëm për maturi. Gjuha e urrejtjes nuk mund të ketë vend tek ne. Jemi 70 ditë larg nga zgjedhjet. Fokusi ynë duhet të jenë vetëm zgjedhjet e 14 Majt. Ne duhet të bëjmë çdo gjë që kemi në dorë, të ofrojmë çdo gjë, që të gjendet zgjidhje dhe PD e opozita të dalë me kandidatë të përbashkët” është shprehur Bardhi, i mëbsytetur me pas edhe nga Kreshnik Collaku.
“Sfidë mbetet zgjedhjet e 14 majit. Kam kërkuar në çdo kohë të bëjmë çdo sakrifice për të dalë me kandidat të unifikuar nën siglën e PD. E kam kërkuar edhe vete dhe e mbështes propozimin, të ftohen të gjithë kandidatët të dalë nga procesi i primareve nga pala tjetër në siglën e PD. Ne kemi çdo mundësi që të hapim një dialog e proces konsensusi në çdo bashki për t’u përfaqësuar me emra cilësor fitues dhe të unifikuar. Nëse vërtete duam të bëjmë një PD fituese duhet bashkim dhe tejkalim i çdo ngarkese emocionale apo interesi personal”, është shprehur Çollaku.
Deputetët e pranishëm në mbledhje
1.Lefter Geshtenja
2.Sealudin Jakupllari
3.Ramadan Likaj
4.Eralda Tase
5.Flutura Açka
6.Merita Bakiu
7.Arbi Agalliu
8.Andia Ulliri
9.Flamur Hoxha
10. Zheni Gjergji
11. Kreshnik Çollaku
12. Saimir Korreshi
13. Gazmend Bardhi
14. Dashnor Sula
15. Bledjon Nallbati
16. Enkelejd Alibeaj
17. Jorida Tabaku
18. Dhurata Çupi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje