Politike

Ardian Dvorani drejt Kushtetueses dhe saga e hapur e përplasjes me Ilir Metën

Ish këshilltar ligjor, avokat, Drejtor i Kodifikimit, më pas anëtar i Gjykatës së Lartë, dy herë drejtues i KED, me një cerfitikatë lavdëruese nga DASH,  por gjyqtari më i sulmuar nga Ilir Meta dhe Sali Berisha, Ardian Dvorani  pritet t’i drejtohet gjykatës Kushtetueses pas mbarimit të mandatit të Altin Binajt.

E ka vendosur KED, aty ku atij iu ndërpre mandati i dytë si drejtues, pas përplasjes publike që pati me Ilir Metën kur ky i fundit ishte President.

Ardjan Dvorani është sot gjyqtar i Gjykatës së Apelit Administrativ të Tiranës.

Për të shkuar drejt Gjykatës Kushtetuese, atij iu desh te ishte në rregull me drejtësinë për të gjitha paditë që ngriti Ilir Meta.

Ky i fundit e akuzoi Dvoranin si ushtar të PS, gjatë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti dhe Parlamenti

Presidenti e kallëzoi në tre prokurori Dvoranin kur ky I fundit ishte kreu i KED. Të tria pushuan cështjen.

Gjykata e Posaçme vendosi po ashtu të njëjtën gjë, ashtu si edhe SPAK.

Ardian Dvorani është i pastër ligjërisht në të gjitha hallkat. Ai i ka mbyllur ‘hesapet’ me drejtësinë, por jo me Ilir Metën.

Përplasja mes të dyve i ka fillesat që prej vitit 2012 në kohën e publikimit të videos së famshme nga ish-deputeti i ndjerë Dritan Prifti.  Atëbotë, Ardian Dvorani ishte kryesues i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që dha vendimin unanim të pafajësisë së Ilir Metës, pas akuzës së ngritur ndaj tij për korrupsion.  

Dvorani votoi pro pafajësisë por ishte i vetmi që shfaqi rezerva mbi disa akte proceduriale të ndjekura dhe vendime të ndërmjetme të Gjykatës së Lartë me administrimin e pronave.

Në vitin 2019 përplasja ishte publike, kur Ilir Meta në cilësinë e Presidentit e akuzoi Dvoranin për komplot gjatë procesit të emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Sot të dy ata janë në një tjera pozicione, por me qejfmbetje të dyanshme.

Dvorani që i drejtohet Kushtetueses ndërsa Ilir Meta kryetar i një partie të krijuar nga ai vetë. / N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë