Ardian Dvorani votohet të mërkurën në Kuvend për të zënë vendin e anëtarit të gjykatës Kushtetuese pas mbarimit të mandatit të Altin Binajt.
Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së i ka kërkuar deputetëve që të mos e votojnë.
Berisha la të kuptojë se ka pasur një marrëveshje të fshehtë mes deputetësh të PD për votimin e Dvoranit, duke nënkuptuar grupin ‘Alibeaj’. Megjithatë kjo hipotezë u hodh poshtë nga Gazment Bardhi i cili reagoi kundër emrit të Dvoranit një ditë më parë
“…Dvorani ka fshehur 80 mijë euro. E ka kapur DSIK. Kur ka dërguar fletën, nuk ka dërguar llogarinë rrjedhëse, por vetëm finale. Askujt tjetër nuk i është propozuar kjo.
Nuk e çuan për ankimim fare në shkallën e dytë.
Por cili ishte Dvorani, kryetari i KED. Ai u soll aty si një bandit me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Këtu e kapi në flagrancë Komisioni i Venecias. Ai krijoi një krizë të madhe brenda vendit, se u përpoq që të merrte kandidaturën që i takonte presidentit të vendit.
Në një akt të paimagjinueshëm, ai shpallet kampion botëror i luftës kundër korrupsionit. Nuk ka fyerje më të madhe se kjo.
Ne si deputetë duhet të reagojmë. Ne duhet të informojmë të gjitha institucionet e SHBA për këtë akt.
Duhet t’i shkruajmë Departamentit të Shtetit, kryetarit të Kongresit, presidentit Biden, nuk mund të fyhen shqiptarët në këtë mënyrë. Nuk mund të shpallet kampion korrupsioni ky.
Po çfarë është Dvorani? Një xhelat, prokurori i atyre që rrëzuan shtatoren e Stalinit në Shkodër dhe ka kërkuar gjer në 15 vite.
Ç’e ka Yuri Kim këtë pasion për xhelatët e komunizmit? Edhe për këtë duhet të informojmë qeverinë amerikane dhe institucionet e tjera.
Me ligj, nuk mund të ishte anëtar gjykate.
Kjo nuk ndodh në një vend të botës, kjo ndodh vetëm në Shqipëri dhe kjo është vepër dizinformatash që guvernatorja i ka dërguar qeverisë së vet për këtë person”, tha Berisha.
Më tej, ai ftoi deputetët ta kundërshtojnë me votim kandidaturën.
“Na vjen ky, që ka ndenjur 16 vite apo 15 vite, anëtar i Gjykatës së Lartë, tani na kthehet në gjykatës kushtetuese. Asnjë votë nuk mund të marrë.
Thuhet se një marrëveshje ishte realizuar, por unë ftoj çdo deputet, të mos bëjë gabimin e tmerrshëm të votojë këtë person.
Ky e ka vendin në burg, për fshehjen e pasurisë, për gjykimet në konflikt interesi dhe shumë veprime të tjera. Për shkeljen e Kushtetutës kur ishte kryetar i KED-it. Të faktuara nga Komisioni i Venecias.
Dhe ky sillet sot për ta votuar për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Pas tij është ajo tjetra, Selimi, e majtë është edhe ajo. Këta e kanë bërë seksion partie drejtësinë.
Atë e kanë lënë në bankinë, kurse në front kanë nxjerrë Dvoranin.
Duhet të qëndrojmë me të gjitha mundësitë tona dhe të qartësojmë shqiptarët se çfarë po ndodh me ne”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje