Kryeministri Edi Rama thotë se arrestimi i komisionerëve të zgjedhjeve të 2017, që janë përfshirë në dosjen “339”, dëshmon nevojën për depolitizimin e administratës zgjedhore.
“Arrestimi i komisionerëve politikë të dosjes së famshme të Durrësit, nxjerr në pah pse-në e domosdoshmërisë së depolitizimit të administratës zgjedhore! 14 të pandehur të PD-LSI dhe 8 të PS janë prova se kush bërtet më shumë e nuk do depolitizim, i ka duart të zhytura thellë në llum!”, shkruan Kryeministri.
“Për mua janë 22 individë të gabuar, në vendin e gabuar dhe detyrën e gabuar,që duhet të shërbejnë si shembull i padiskutueshëm për largimin përfundimtar të partive politike nga komisionet e zgjedhjeve! Le të vendosë drejtësia për ta pa dallim dhe mësimi për ne është: DEPOLITIZIM!”, thotë ai.
Për arrestimet ka reaguar edhe Presidenti, Ilir Meta.
“Koha për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë manipulimit të zgjedhjeve dhe blerjes së votave!
Ndëshkim maksimal për të gjithë manipuluesit dhe falsifikatorët e zgjedhjeve!
Ndëshkim maksimal do të ketë për të gjithë punonjësit e shtetit që keqpërdorin detyrën për presione, shantazhe dhe krime zgjedhore!”, shkruan Meta në Facebook duke ndare edhe një shkrim të reporter.al me titull: “Arrestimet e SPAK për vjedhje votash ngrenë pikëpyetje mbi rezultatin e zgjedhjeve 2017”
Aksioni i urdhëruar nga SPAK është ndërmarra gjatë orëve të natës në Tiranë dhe Durrës. Në mesin e urdhërarresteve janë edhe disa zyrtarë lokalë, ndërsa pjesa tjetër janë njerëz të thjeshtë, të cilët janë të implikuar në një nga çështjet e sipërpërmendura.
Dosja “339” ka 24 të pandehur, mes të cilëve Avdylajt e Shijakut dhe të akuzuarit për laboratorin e drogës në Brenog të Hasit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje