Politike

Ballkani i Hapur mblidhet në Ohër për turizmin dhe kulturën, Abazoviç merr pjesë si vëzhgues

Agjenda e takimeve në kuadër të samitit të radhës të Ballkanit të Hapur është e përqëndruar te turizmi dhe kultura.

Delegacioni shqiptar i kryesuar nga Kryeministri Edi Rama do të niset pasdite drejt Ohrit, ku në orën 18:30 është përcaktuar një darkë pune mes udhëheqësve të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe delegacioneve përkatëse. Tryezës do t’i bashkohet si vëzhgues edhe Kryeministri i Malit të Zi,  Dritan Abazoviç.

Të mërkurën diskutimet hapen me temën e turizmit, më pas një seancë koordinuese mes udhëheqësve të tre vendeve dhe përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar dhe pak pas mesditës hapja e seancës së dytë të diskutimeve me tematikë kulturën.

LEXO EDHE:
– Ballkani i Hapur, çfarë pritet të ndodhë në Ohër, cilat janë marrëveshjet që do të firmosen?
– Deklarata e Lavrov, Vasili: “Ballkani i Hapur” një strategji ruso-serbe
– Si do të ndikojë Ukraina në qasjen e BE-së ndaj Ballkanit?

Në përfundim, do të nënshkruhen marrëveshjet përkatëse në fushën e turizmit dhe kulturës dhe më pas konferenca tradicionale për shtyp e Ramës, Vuçiçit dhe Kovaçevskit.

Pas konferencës, të tre ata do vizitojnë Manastirin e Shën Naumit dhe do të bëjnë një xhiro me varkë në Liqenin e Ohrit.

I gjithë aktiviteti mbyllet rreth orës 16:00 me marrjen e çmimit për lidership rajonal për nismën Ballkani i Hapur për Ramën, Vuçiçin, Kovaçevskit dhe Zaevin që jepet nga Dhoma Ekonomike e Maqedonisë së Veriut.

Samitit do t’i bashkohet virtualisht dhe komisioneri për zgjerimin i BE, Oliver Varheily.

Kryeministri Albin Kurti u ftua nga homologu i tij maqedonas, Dimitar Kovaçevski, për të marrë pjesë në samit, por në një letër drejtuar Kovaçevskit ai tha se nuk ka konfirmim për pjesëmarrjen apo jo të tij në samit.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov pasi nuk mundi të udhëtonte drejt Serbisë, në një vizitë të planifikuar ditën e djeshme (6 qershor) për shkak se Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi i mbyllën hapësirat ajrore, deklaroi se Ballkani i Hapur ishte një iniciativë serbe dhe se Rusia e mbështeste këtë pavarësisht kundërshtimeve të Brukselit.

“BE do që të aplikojë një projekt të quajtur Ballkani i Mbyllur”, tha Lavrov duke e cilësuar këtë një veprim kundër interesave ruse.

“Ne vlerësojmë nismat kurajoze të ndërmarra nga Serbia dhe Presidentit Vuçiç, i cili ka theksuar se nuk do të angazhohet në veprime kundër Rusisë, edhe pse BE do që vendet kandidate të rreshtohen në veprime rusofobike”, tha ai ndërkohë që shtoi: “Siç duket qartë, ata që lëvizin fijet në Bruksel nuk e duan këtë. Ata nuk duan që ne të mbështesin Beogradin, përfshi Ballkanin e Hapur. Por tani është e qartë për të gjithë ne që Brukseli, më saktë NATO dhe BE, duan ta kthejnë Ballkanin në projektin e tyre të quajtur ‘Ballkani i Mbyllur’”.

Rusia ka fajësuar Perëndimin pasi Lavrov ka anuluar vizitën në Serbi.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e ka konsideruar vendimin “një tjetër kanal të mbyllur të komunikimit”, në disa komente që janë përcjellë nga agjencitë ruse të lajmeve.

Kremlini tha të hënën(6 qershor)se mbyllja e hapësirës ajrore ka qenë “veprim armiqësor”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë