Përmes një ceremonie pompoze, Kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi firmosën marrëveshjen të mbështetur në 13 pika.
Si opozitë e bashkuar, PD dhe LSI do të konkurrojnë në zgjedhje me dy lista (PD-AN + LSI), angazhohen se do të respektojnë shtyllat themelore programore të të dy partive respektive në qeverisjen e ardhshme si dhe përfaqësimi në të gjithë nivelet e qeverisjes së ardhshme do të realizohet proporcionalisht mbi bazën e rezultatit zgjedhor.
“Çdo shpresë nis me një ëndërr e cila bëhet realitet.
Udhëtimi ynë i përbashkët për të ndryshuar Shqipërinë fillon sot. Koalicioni ynë, Partia Demokratike dhe Aleanca për Ndryshim dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, ka bashkuar të gjitha forcat për të garantuar që 25 prilli të jetë dita e ndryshimit.
Pas 8 vite dështimesh, 8 vitesh premtimesh boshe, pas 8 vitesh ku Shqipëria ka mbetur vendnumëro në të gjitha drejtimet, ndërsa vendet e ngjashme me ne kanë përparuar dhe janë përmirësuar, ka ardhur koha që të ndryshojmë.
Ne do të sjellim ndryshimin…”, premtoi Basha.
“Në emrin tim, te Partisë Demokratike dhe të koalicionit tonë angazhohem se nuk do të ju zhgënjej. Se do të punojmë së bashku duke bashkuar të gjitha forcat për të sjellë një të ardhme të re dhe të mirë për çdo shqiptar.
Ne e dimë të vërtetën.
Njerëzit tanë janë të fortë. Shqiptarët janë të fortë. Shqipëria është e fortë dhe plot me mundësi por, Shqipëria meriton një qeverisje të mirë. Një qeverisje që kujdeset për ju në vend që të kujdeset për veten e saj”, vijoi ai.
Basha nënvizoi se premtimet e opozitës janë të realizueshme ndërsa vuri theksin tek bashkimi. ”Tani ka ardhur çasti të bashkohemi, tani ka ardhur çasti të fitojmë së bashku për Shqipërinë, për familjet tuaja, për çdo shqiptar.
Të shkojmë shtëpi më shtëpi, rrugë më rrugë, fshat më fshat, qytet më qytet, dhe të garantojmë fitoren e 25 Prillit, fitoren e zgjedhjeve me anë të së cilës do të fitojë Shqipëria, do të fitojnë familjet tuaja dhe e ardhmja e fëmijëve tanë”
Kryemadhi
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e cila për herë të parë u pa me maske tha gjatë një fjale të shkurtër se, “LSI dhe PD janë bërë bashkë si një aleancë kundër dështimeve të qeverisë së Ramës”
“Sot në një ditë që ne bashkohemi formalisht, do të bashkojmë forcat dhe të punojmë me njëri tjetrin në shërbim të popullit shqiptar. Partneriteti ynë dërgon një sinjal të fortë dhe të qartë për të gjithë shqiptarët se ndryshimi po vjen, se ndryshimi është i paevitueshëm dhe se ditë më të mira ka përpara për shqiptarët kudo që jetojnë”, tha ajo.
Kryemadhi sqaroi kinse se LSI dhe PD do të vijojnë të jenë dy entitete, me identitetin e tyre.
“Do të vijojmë, që në kohëra mund të kemi mund të kemi edhe kundërshtime për politika të caktuara, por zotohemi se do të gjejmë gjuhën e përbashkët të bashkëpunimit dhe të punojmë fort me njëri tjetrin, duke vendosur gjithmonë përpara interesin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve”.
“Ne duhet të ndalojmë dëshirën e shqiptarëve për të emigruar nga Shqipëria, por duhet t’u krijojmë atyre më shumë mundësi, më shumë punësim, në mënyrë të tillë që të ndihen si qytetarë evropianë në Shqipëri. Së fundmi, partneriteti ynë do t’i lejojë LSI-së që të ndjekë axhendën e saj politike. Në veçanti, ne si LSI do të punojmë për implementimin e pesë prioriteteve tona në pesë muajt e parë, për të ulur koston e jetesës për shqiptarët, për të krijuar punësim të mirë paguar për ta, për t’iu dhënë shqiptarëve shpresën dhe mundësinë që ata ta bëjnë Shqipërinë shtëpinë e tyre”, premtoi Kryemadhi.
Kryetarja e LSI nënvizoi se, “ ky është një partnership i ndërtuar për të zgjatur, jo vetëm gjatë fushatës elektorale, por edhe në qeverisjen e re të LSI me Partinë Demokratike dhe me z. Basha duke drejtuar të gjithë frontin opozitar në zgjedhjet e 25 prillit”.
“Do të punojmë krah për krah të gjithë së bashku, do të punojmë krah për krah z. Lulzim Basha, por jo vetëm, por edhe ne të gjithë përkrah njëri – tjetrit, në çdo qytet, në çdo qark, në çdo shtëpi e në çdo rrugicë, anëtarë të Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por jo vetëm këta, por edhe të rinjtë dhe të rejat, të gjithë ata që janë pa parti, por që duan të ndryshojnë Shqipërinë, që duan të sjellin një jetë më të mirë për të rinjtë dhe për të rejat dhe që duan të jenë qytetarë dinjitozë në vendin e tyre”.
Referendumi i 25 prillit, sipas saj, nuk është kalkulim politik.
“Referendumi i 25 prill është mision. Është mision kombëtar për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë çdo sekti, që kërkon të marrë peng të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha ajo.
Pikat e marrëveshjes PD-LSI
1-Nxjerrjen e vendit nga kriza shumë e rëndë ekonomike e shkaktuar nga qeverisja klienteliste dhe bashkëpunëtore e oligarkisë dhe e krimit.
2-Përmbushjen e të gjitha kushteve për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian
3-Rivendosja e shtetit të së drejtës dhe e sundimit të ligjit, çlirimin e shtetit nga kapja, rikthimin e llogaridhënies
4-Ndërtimin e një aksioni qeveritar intensiv për të frenuar shpopullimin masiv.
5-Prioritarizimin e krijimit të punësimit të mirëpaguar.
6-Realizimin e një programi qeverisës me prioritet rininë, për një arsimim cilësor dhe mundësi të gjera punësimi të saj
7-Për të garantuar mundësi të barabarta për përfaqësimin e gruas në vendimmarrje
8-Për të realizuar një luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar, trafiqeve të çdo lloji dhe pastrimit të parave të pista
9-Për të zgjidhur në mënyrë prioritare problemin e rindërtimit të banesave të dëmtuara dhe të shkatërruara nga tërmetet.
10-Për t’i dhënë fund problemit kritik të pandemisë COVID-19, duke zbatuar një plan shëndetësor-social
11-Për zhvillimin real dhe të qenësishëm të kulturës dhe sportit.
12-Për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe për t’i dhënë fund dëmtimit, tjetërsimit dhe asgjësimit të saj.
13-Për garantimin e rikthimit të pronave për komunitetet fetare në vendin tonë
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje