Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha për mediat se nuk do të ketë asnjë mbledhje të Kuvendit Kombëtar, pavarësisht se ish-lideri i të djathtës, Sali Berisha mund të mbledhë edhe 1500 firma sipas statutit për ta mbajtur atë.
Basha nuk tha se si mund ta ndalojë nismën e paralajmëruar nga Berisha, por la të kuptoje se ato 1500 firma edhe mund të mos mblidhen.
Në një prononcim të kërkuar vetë për mediat, Basha sqaroi gjithashtu se përkundër asaj që thotë Berisha ai nuk është peng i Edi Ramës ashtu siç nuk ka qenë sipas tij as “kukull” e Sali Berishës.
“Për 8 vite me radhë Edi Rama më ka akuzuar për kukull të Sali Berishës. Dje, Sali Berisha më ka akuzuar për peng të Edi Ramës. E para është gënjeshtër, e dyta nuk do të ndodhë kurrë. Të dyja janë dy anë të të njëjtës medalje. Partia Demokratike po ecën përpara, Partia Demokratike do t’i prijë betejës popullore për ndryshim që vjen vetëm përmes largimit të këtij regjimi dhe kthimit të vendit në shinat e demokracisë të cilat sigurojnë një jetë të mirë për çdo shqiptar.
Ky është misioni i Partisë Demokratike, ky është misioni i çdo demokrati, ky është misioni im dhe këtij do t’i qëndroj me përkushtim deri në arritjen e objektivave që nuk janë thjesht partiake, por janë partiake, por janë kombëtare.
Sa u përket pretendimeve për referendume dhe kuvende, kuvend të Partisë Demokratike për të marrë në shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane nuk ka për të pasur. Objektivat tona janë përballja me Edi Ramën dhe regjimin e tij dhe e gjithë energjia jonë është e fokusuar këtu. Nuk ka për të pasur Kuvend të Partisë Demokratike që shqyrton vendimet e qeverisë Amerikane”, këmbënguli Basha disa herë pas pyetjeve drejtuar nga media.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje