Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha do të mbledhë të dielën kryesinë e partisë dhe më pas Këshillin Kombëtar.
Objekti i diskutimit është i caktuar dhe që në përmbajtje të saj nuk pritet ndonjë zhvillim përveç zërave të Këshillit Kombëtar me në krye Bujar Nishanin.
Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi e ka paracaktuar tashmë vijën e debatit në forumet e larta të partisë duke cilësuar që në njoftimin dërguar anëtarëve të kryesisë se do të diskutohet për “masakrën elektorale”
“Ditën e dielë, datë 16 Maj 2021, ora 17:00, do të zhvillohet mbledhje e Kryesisë së Partisë, me rend ditë: “Diskutime dhe vendimmarrje sipas Statutit për proceset politike pas situatës së krijuar me masakrën elektorale të zgjedhjeve të 25 Prillit”.
Më pas, në orën 19:00, me të njëjtin rend dite, do të zhvillohet mbledhja e Këshillit Kombëtar”, thuhet në mesazhin e Gazmend Bardhit.
Paralelisht me mbledhjen e forumeve që deri më tash kanë rezultuar formale, Lulzim Basha po vijon edhe një tur nëpër rrethe për tu shpjeguar strukturave demokrate se pse nuk erdhën në pushtet.
Basha thotë se zgjedhjet u vodhën, se nuk do ta njohë këtë proces por pa sqaruar konkretisht se çfarë do të thotë, sa kohe që në muajin shtator ata pritet që të futen në Kuvend.
Bashës i mbaron edhe mandati si kryetar i partisë në fund të muajit Korrik. Deri tani kandidat zyrtar për postin e kryetarit është ofruar Fatbardh Kadilli.
Ndërkohë nga një tjetër grup kritik për rezultatin e zgjedhjeve drejtuar nga Bujar Nishani nuk ka ende një emër për garën për kryetar edhe pse kanë premtuar se ditët në vijim do të ketë zhvillime interesante.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje