Politike

“Basha mbylli dosjen e vet, me përjashtimin e Berishës”, PD padit për shpifje Evi Kokalarin

Aktivistja republikane Evi Kokalari tha krah Berishës në Durrës  se Lulzim Basha vendosi të përjashtonte Berishën nga Grupi Parlamentar për të mbyllur dosjen e tij, duke pretenduar se për 2-3 vjet kryedemokratit iu mohua e drejta e vizës në SHBA.

“Berisha është përjashtuar nga grupi parlamentar sepse është shkëmbyer me mbylljen e dosjes të korrupsionit të Lul Bashës në një dosje që ekziston në Shqipëri dhe në Amerikë. Kjo është e vetmja arsye pse Berisha është përjashtuar  

Rama nuk ikën pa ikur Basha. Disa mendojnë se po i rri afër Berishës që të bëhem kryetare e PD-së por me besoni se duhej shumë mund që të më sillnin mua në Shqipëri pas kaq kohësh dhe unë nuk kam nevojë që të bëhem kryetar i PD-së sepse ne e kemi kryetarin e PD-se dhe ai është Sali Berisha”, tha ajo. duke shpjeguar se bëhet fjalë për një dosje lobimi në SHBA.

“Në një periudhë të shkurtër kohe, çfarë më ka bërë përshtypje, është që brenda 3-4 muajsh PD ka paguar 750 mijë dollarë për të lobuar në Amerikë. Është shumë. Një pjesë e këtyre parave, sepse Lulzim Basha nuk donte që të merrej vesh në Shqipëri se nga kishin ardhur, vendosi të përdorë një kompani me origjinë rusë, që bëri kontratë me një firmë lobimi në Amerikë, sikur ata po bënin një konsulencë për organizatat shqiptaro-amerikane që do investonin në Shqipëri. Kjo është ilegale në Amerikë. Fillimisht kjo nuk doli, por kompania që Lulzim Basha po përdorte në Amerikë pati disa probleme me ligjin. Lulzim Bashës iu hoq e drejta e vizës për 2-3 vjet. Në këtë moment kjo dosje është mbyllur me kushtin që ai të nxirrte nga Grupi Parlamentar, Sali Berishën. Me gjithë frikën që Lul Basha ka pasur, se unë mund të bëhesha kryetare e PD-së, do kthehem në Amerikë dhe bashkë me shqiptarë të diasporës do kontrollojmë nëse Basha guxon të futet në Amerikë, që do të thotë ka marrë vizë, ne do e bëjmë problem dhe do ta çojmë këtë dosje në Kongres“, tha ajo.

Ka reaguar edhe PD-ja përmes një deklarate zyrtare.

“Një spekulante politike, Evi Kokalari, guxoi sot të përsëriste përpara shqiptarëve shpifjet e Edi Ramës dhe Taulant Ballës ndaj Kryetarit të Partisë Demokratike z. Lulzim Basha. Autoritetet përgjegjëse me kërkesë të vetë Partisë Demokratike hetuan për 2 vite lidhur me shpifjen e Edi Ramës dhe Taulant Ballës, duke provuar në mënyrë ligjore dhe përfundimtare se ato ishin vetëm shpifje.

Ricikimi i të njëjtave shpifje, bëhet për të njëjtin qëllim, atë të mbajtjes në këmbë të regjimit kriminal të Edi Ramës. Për këtë arsye, Partia Demokratike do të padisë nesër penalisht për shpifje znj. Evi Kokalari, e cila mund të paraqitet në gjykatë për të provuar akuzat e rreme me dëshmitarët e saj të rremë Edi Ramën dhe Taulant Ballën”, thuhet në reagimin zyrtar të PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë