Në takimin e Sali Berishës me demokratët e Durrësit (ku mori pjesë edhe deputeti Oerd Bylykbashi) thirrja e demokratëve kishte ndryshuar; nga “Rama ik” në “Basha ik”.
Ish-kryetari i Partisë Demokratike, që ka ndërmarrë një lëvizje në bazë, pranoi në Durrës se ai kishte gabimet e tij në raport me humbjet e Lulzim Bashës ndër vite.
“Përgjegjësia i përket atij që ishte në timon të PD-së, por edhe Berisha ka pjesën e tij të pamohueshme, prandaj jam këtu për tu kërkuar ndjesë. Cilat ishin gabimet e mia në këtë histori?.
Unë dhashë dorëheqjen dhe nuk bëra gabim. Isha i bindur se kur zgjedhjet u humbën në mënyrë të qartë duhet të hapësh rrugën dhe unë këtë bëra
Jam përpjekur që të kontribuoj me këshilla kur më janë kërkuar sikundër ju jeni dëshmitar që kam qëndruar nga mëngjesi deri në darke cdo ditë javë dhe muaj e vit kundër rekordeve te zeza të qeverisë aktuale të Edi Ramës. Kam mbrojtur interesat tuaja të demokratëve interesin kombëtar por ku qëndron gabimi atëherë?.
Gabimi qëndron se në rast se unë më të vërtetë u tregova jashtëzakonisht i vëmendshëm në cështjet që rendita më sipër, unë u tregova i heshtur ndaj zhvillimeve brenda PD-së, ndaj shkelmimit të normave të parimeve, të kësaj partie…
Unë ia kërkova dorëheqjen pas 2017-ës por nuk nisa procesin e duhur që ai të merrte gjithë përgjegjësinë për atë humbje të tmerrshme që pësuam në vitin 2017”, u tha Berisha demokratëve të Durrësit.
Berisha tha sërish se kishte vendosur të largohej nga drejtimi i partisë pa kthim, por përballe humbjes së Lulzim Bashës, ai shtoi se nuk mund të kthehej pa një projekt.
“Nuk kisha ndërmend që të rikthehesha më, isha i vendosur të qëndroja njeri prej jush pa të drejtë kthimi, dorëheqjen time e kisha konceptuar si një dorëheqje pa kthim dhe nëse unë futesha në probleme të brendshme në PD unë nuk mund të futesha pa një projekt dhe kjo më pengonte mua, por vjen një moment kur gabimet mangësitë nuk mund të të pengojnë më që të ngrihesh në lartësinë e kërkesave, pritshmërive dhe të luftoj së bashku më ju për një PD më të bashkuar më të fortë dhe të hapur drejt fitores”, tha Berisha.
Ish-kryeministri e cilësoi Bashën ish-kryetar partie për sa kohë që sipas tij Basha nuk pyet më për organet e partisë.
Duke iu referuar deklaratës së Bashës se nuk do të ketë Kuvend Kombëtar, Berisha nënvizoi: “Nëse ti nuk pyet për ligjin, për forumet, për anëtarësinë ti automatikisht nuk je më kryetar i kësaj force politike, nuk mund të jesh, ti je kryetar i pengjeve të atyre që të kanë marrë por jo i këtyre burrave grave të lirë”.
Ai nuk tha se për cfarë është peng Basha por përsëriti disa herë se një njeri që është peng “nuk mund të jetë kurrë vetja e tij”.
Berisha ftoi demokratët të mbledhin firmat për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar, proces që sapo ka nisur.
“Ne do ta bëjmë këtë kuvend për të sanksionuar norma dhe standarde për rolin tuaj, duhet te jeni ju që do të zgjidhni me votën tuaj
Kuvendi që do të mbledhim do të sanksionojë se kurrë një kryetar nuk mund të grabisë pushtetin e forumeve që ju i keni votuar dhe që në momentin e pare që ai e bën atë, ai automatikisht nuk është më kryetar
Do të mbledhim Kuvendin edhe për tu ofruar shqiptarëve alternativen që ata kanë nevojë jetike sot për të
Në do të ofrojmë alternativën tonë, ju ftoj të gjithë ju të mbledhim delegatët e Kuvendit të firmosin pavarësisht se cfarë mendojnë për njërin apo për tjetrin, por të firmosin për të respektuar veten e tyre, të firmosin për një mision të ri të forcës politike që i përkasin, të mbledhim Kuvendin, të miratojmë platformat për ta bërë PD-në një force politike sovranë të besueshme”
Megjithatë, Berisha tha se fillimisht beteja do të jetë me kryeministrin Rama.
“Unë paralajmëroj Edi Ramën, mos luaj me fatin e pluralizmit në Shqipëri. Kapet peng një njeri dhe kujton se do shkelmojë mbi 620 mijë shqiptarë që votuan kundër teje”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje