Përfaqësuesi i PD-së Enkelejd Alibeajt, Indrit Sefa, ka dorëzuar dokumentacionin për regjistrimin edhe ai të PD në KQZ për zgjedhjet e 14 majit. Kleçka në këtë rast ishte se me cilin kryetar do të regjistrohej PD-ja sipas vendimit të fundit të Apelit.
“Do e vlerësojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nuk e kuptoj gjithë këtë interes kaq të madh. Bëmë një veprim thjesht procedural. Është praktikë e ndjekur nga të gjitha partitë politike”, tha Sefa. Por cila është procedura që ata kanë ndjekur. Sipas dokumentacionit të dorëzuar në KQZ, ata i kane bërë një kërkesë gjykatës së kush figuruan kryetar i partisë.

Deri në fillim të marsit sipas gjykates rezulton Lulzim Basha kryetar siç edhe dihej në fakt.

Që do të thotë asnjë kërkesë nuk ka mbërritur në gjykatë nga PD-ja zyrtare për ta ç’rregjistruar.
Në një dokument të dytë, Alibeaj ka dorëzuar një autorizim të kryetarit Lulzim Basha që ta përfaqësojë ai PD në këto zgjedhje.

Në një dokument të tretë të lëshuar po nga PD flitet për autorizimin e Lulzim Bashës për Enkelejd Alibeajn.

Dokumenti rezulton i firmosur me 18 mars 2022 (katër ditë para se Basha të jepte dorëheqjen publike) dhe ajo që bie ne sy është fjalia e fundit e autorizimit ku thuhet se, “ky autorizim është i vlefshëm deri sa të jetë i ndryshuar apo revokuar shprehimisht nga kryetari i partisë”.
Që do të thotë se Basha figuron ende kryetar i partisë me letra dhe i paskësh parashikuar zhvillimet e mëvonshme (referuar dokumentit) këtu e një vit më parë

Më pas Alibeaj i është referuar një neni të Kodit Zgjedhor sipas së cilës kryetari i partisë dorëzon listën e kandidatëve, por Kodi nuk përmend rastet kur ka kryetar të komanduar apo të autorizuar si në rastin konkret.
Një lëmsh i tërë që i mbetet Ilirjan Celibashit ta zgjidhë.
Neni 64 i Kodit Zgjedhor
Regjistrimi i partive politike në zgjedhje:
1. Çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve.
2. Për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor për çdo lloj zgjedhjeje, një parti politike duhet të paraqesë në KQZ:
a) vërtetimin që partia është regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë;
b) emrin, mbiemrin dhe adresën e kryetarit të partisë, i cili është personi i autorizuar për të paraqitur kandidatët;
c) emrin zyrtar, shkronjat nistore dhe adresën e partisë;
ç) specimenin e vulës së partisë;
d) emrin, mbiemrin dhe adresën e financierit të partisë; dhe
dh) emrin, mbiemrin dhe adresën e personit përgjegjës për komunikimin me KQZ-në;
e) deklaratën me shkrim të nënshkruar nga kryetari i partisë politike ku përmendet angazhimi solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme, veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet. Teksti i deklaratës përcaktohet nga KQZ-ja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje