Politike

Basha prezanton Xhemal Bushatin: PD i ka borxh Shkodrës, mos votoni një kandidat të modelit Rama-Doshi

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ishte krah Xhemal Bushatit në Shkodër, ditën e shpalljes zyrtare të fushatës për zgjedhjet e 6 marsit.             

“Po e nis me një selfi se kam iluzionin që selfi, fotografia, do ta kujtoj e do ta ruaj, do ta përjetësoj këtë moment mahnitës, këtë moment të mrekullueshëm këtu në këtë kryeqendër që gjithkush, çdo shqiptar, çdokush që flet shqip, i thotë kryeqendra e veriut. Por në fakt është kryeqendra e kombit sa i takon qytetarisë, sa i takon vlerave, sa i takon spirancës së kombit, udhëtimit tonë qindravjeçar dhe shekullorë drejt destinit tonë perëndimor.

Ndaj dua t’iu falënderoj për këtë atmosferë të mrekullueshme që dinë ta falin vetëm shkodranët. Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, dy dashni kanë shkodranët: Partinë Demokratike dhe Vllazninë…”, tha Basha.

Kryetari i PD-së tha se Xhemal Bushati është kandidati më i mirë për Shkodrën.

Basha tha gjatë fjalës së Partia Demokratike i ka një borxh të madh Shkodrës.”Ka një borxh të madh që nuk ia ka shlyer Shkodrës për aq sa Shkodra i ka dhënë, unë jam i bindur se Shkodra do të votojë Partinë Demokratike të Shqipërisë, sepse siç iu thashë, shkodranët që nuk i gënjeu dot as Enver Hoxha, nuk i gënjen dot askush tjetër me asnjë marifet. Xhemal Bushati është kandidati i Partisë Demokratike. Dhe nga unë i pari, zotohem që këtë besim të madh të shkodranëve, këtë borxh të pashlyer, ta kthejmë në një politikë së pari me një fytyrë njerëzore, si fytyra, si shpirti i Xhemal Bushatit, me një fytyrë të pastër”, tha ai.

Më tej Basha u fokusua tek kandidatët kundërshtarë që janë Bardh Spahia dhe Majlinda Angoni.

“A doni një Shkodër me kryebashkiak të kontrolluar nga Edi Rama dhe Tom Doshi? Doni një kryebashkiak, i cili vendos në bashkinë e Shkodrës, modelin e Edi Ramës dhe Tom Doshit? A doni një kryebashkiak, i cili ta vendosë Shkodrën në funksion të agjendave personale dhe pazareve personale të Edi Ramës dhe Tom Doshit? Nuk iu dëgjoj! Edhe njëherë! Atëherë votoni partinë demokratike! Votoni Xhemal Bushatin! Shkodra asht dashni! Shkodrës i duhet një kryebashkiak, i cili ka dashni e dhembshuri për qytetarët e vet dhe që ka forcë e drejtësi, për të luftuar, për çdo banor të bashkisë së Shkodrës”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë