Politike

Zgjedhjet e pjesshme lokale, Celibashi: Ftoj partitë dhe kandidatët të zhvillojnë fushatë të qetë

Në ditën zyrtare të hapjes së fushatës, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka kërkuar që partitë politike dhe kandidatët të zhvillojnë një fushatë sa më të qetë, në përputhje me Kodin Zgjedhor.

“Sot nis fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë Shkodër, Dibër, Vorë, Durrës, Rrogozhinë, Lushnjë.

Subjektet zgjedhore të regjistruara dhe kandidatët e tyre, kanë detyrimin për të bërë fushatë duke respektuar Kodin Zgjedhor, si edhe çdo normë tjetër ligjore, e cila përcakton dhe garanton zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme.

Me këtë rast ju përcjell partive politike dhe kandidatëve pjesëmarrës në këtë garë, thirrjen për ta zhvilluar këtë fushatë zgjedhore në mënyrë të qetë dhe në përputhje me të gjithë parashikimet e Kodit Zgjedhor.

Zhvillimi i një gare zgjedhore duke respektuar principet e një gare të lirë, të drejtë dhe të ndershme lidhet drejtpërsëdrejti me standardin e këtij procesi zgjedhor”, tha Celibashi.

Ai i beri thirrje zgjedhësve të 6 njësive të qeverisjes vendore që të marrin pjesë masivisht në këtë proces.

“I ftoj ata që të verifikojnë vlefshmërinë dokumenteve të identifikimit pasi kanë verifikuar më së pari nëse emri i tyre gjendet në listën e zgjedhësve.

Mungesa e një dokumenti identifikimi të vlefshëm nuk do t’ju mundësojë atyre të ushtrojnë të drejtën e votës në datën 6 Mars 2022.

Edhe pse mandati i kryetarëve të bashkive që do të dalin nga këto zgjedhje është më pak se një vit, vlen që ju të ushtroni të drejtën tuaj të votës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë