Teksa Lindita Nikolla po mbante fjalimin e parë si kryetare e Kuvendit, kryetari i PD-së, Lulzim Basha bashkë me deputetët e PD-së lanë sallën për të qëndruar si grup në një deklaratë për mediat.
Me duart e kryqëzuara, Basha kishte një mesazh të drejtpërdrejtë jo për Edi Ramën, por për Sali Berishën.
Ai sqaroi se armiku i tij i vetëm është Edi Rama dhe se nuk ishte ndjerë aspak mirë kur kishte dëgjuar reagimin e Sali Berishës ditën e premte se ai dhe Rama po bëjnë bashkë një “marrëveshje të fëlliqur”.
“Kam ndjekur me dhimbje të madhe reagimin e doktor Berishës, konsideratën për të cilin e kam shprehur në mënyrë të plotë dhe të qartë mbrëmë dhe asaj nuk i lëviz asnjë presje.
Dhimbja që ndjej në nivel personal dhe njerëzor për vendimin që u detyrova të marr dje është dyfishuar sot nga gjuha e përdorur nga z. Berisha.
Shpresoj dhe uroj që koha të jetë ilaçi më i mirë, dhe të gjithë të fokusohemi te armiku i vetëm që është regjimi i Edi Ramës, problemi kryesor për të sotmen dhe të nesërmen e shqiptarëve”, tha Basha.
I pyetur nga gazetarët nëse ka një marrëveshje me kryeministrin Edi Rama, kryedemokrati Basha tha: “Edhe një herë shpreh keqardhjen më të thellë që tezat e kundërshtarit tim të vetëm, të PD-së dhe të çdo shqiptari të ndershëm, Edi Ramës, i kam dëgjuar të artikuluara nga goja e një njeriu, vlerësimin për kontributin e të cilit e kam dhënë dje dhe e përsëris edhe sot“.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje