Politike

Bejko prezanton programin duke sulmuar Berishën: Mos votoni ata që dikur ishin të djathtë (mungon Tabaku dhe Bardhi)

Në nisje të fushatës për zgjedhjet e 14 majit, kandidati i PD për Bashkinë Tiranë, Roland Bejko në prezantimin e parë të programit të tij, u ka  kërkuar demokratëve që të votojnë djathtas dhe jo për koalicionin Berisha-Meta. Slogani i PD-së do jetë “Frymëmarrje për Shqipërinë”.

Bejko u mor gjatë me figurën e Sali Berishës kur kërkoi votën e të djathtëve.

“Garancia është integriteti ynë, që dimë ti rezistojmë çdo lloj tundimi. Jemi vetvetja, njerëz të lirë, ne s’kemi parti kryetari, kemi parti politike. Edhe pse hoqëm shumë ketë vit, me shantazhe, bullizim e joshje, kemi rezistuar. Kemi rezistuar më tepër se ishte parashikuar. Nga daljet e terrenit konstatuam se sallat ishin plot. Do ishim më mirë nëse s’do ishte futur brenda si bombë egoizmi personal i Berishës që e trajtoi partinë si pronë. PD ka mision të rëndësishëm, është parti që përcjell në Shqipëri frymën dhe vizionin tonë Evropian. Për ne është historike që kemi duruar një vit e gjysmë dhe tani kemi revanzh, pozitiv për qytetarët. Ne do kemi një PD për qytetarët. Për herë të parë shqiptarët do e shohin se çfarë do të thotë të jesh në Parti Demokratike. Kjo është oferta jonë”, tha Bejko.

“Kjo fushate nuk do jetë e vështirë për mua, do jetë e lehtë. Stili më i mirë është të shkosh derë më derë. Por kjo s’do të thotë se do lëmë pjesë të tjera të Tiranës edhe pse koha na kufizon. Ata që e quajnë veten të djathtë të votojnë, të mos hutohen nga ata që dikur ishin të djathtë po sot janë strehuar tek e majta. E kam fjalën për koalicionin në të cilin një pjesë e mirë e demokratëve janë strehuar në ombrellën politike të Ilir Metës. Vota, shkon tek Meta jo te PD. Kështu që, i ftoj demokratët të jenë racional” tha Bejko nga selia e PD aty ku ra në sy mungesa e Gazment Bardhit dhe Jorida Tabakut.

“Qëllimi ynë është të çlirojmë Tiranën nga kthetrat e grabitqarëve. Ne programin e kemi gati. Tezat e këtij programi do bëhen publike ditën e çeljes dhe çdo pikë e këtij programi do të prezantohet te grupet e interesit, banorët e zonave rurale dhe atje do flitet qartë, do thuhet e vërteta që është aleati ynë më i madh në këtë zgjedhje. Do kemi një rrugëtim intensiv por së bashku do ia dalim”, tha ai

Më shkoqur foli Enkelejd Alibeaj në krah të tij.

“Ky është moment për të bërë dallimin e madh. Në rastin e zgjedhjeve, zgjedhjet janë për shqiptarët dhe për një moment të lëmë mënjanë atë se çfarë Partia Demokratike ka kaluar. Janë të rëndësishme edhe për të ardhmen e Partisë Demokratike. Jemi këtu dhe marrim pjesë në këto zgjedhje pikërisht për të vazhduar kauzat tona. Kauzat e PD, kauzat e drejta, kauzat e ndershme që kemi mbajtur për të cilat kemi rezistuar gjatë kësaj kohë, e për të cilat do të doja të falënderoja të gjithë kolegët e mi, grupit parlamentar, kryesisë, të strukturave tona në të gjithë Shqipërinë, jo vetëm në Tiranë”, tha Alibeaj.

Më tej ai u fokusua tek emri i Roland Bejkos. “Unë jam i bindur se kandidatura dhe profili i Roland Bejkos është esenca e asaj se çfarë në këto një vit e gjysmë kemi kaluar, e asaj se çfarë në këto 30 vite Partia Demokratike do të duhej të ishte dhe pse jo, e asaj se çfarë do të duhet të jetë nesër. Ndaj, vlera të tilla si integriteti, koherenca në qëndrimet politike, identiteti, kontributi historik, mosbërja kompromis përgjatë meandrave të politikës, janë vlera të cilët do të duhet t’I bëjmë së bashku tonat. Kjo është baza mbi të cilën do të ndërtojmë dhe do të ecim përgjatë kësaj fushate, në shërbim të qytetarëve, në shërbim të Tiranës, jo vetëm tani por edhe në të ardhmen”, tha ai.

Enkelejd Alibeaj nënvizoi se demokratët duhet të votojnë PD vetëm në 14 bashkitë që kanë kandidatë  por nuk dha përgjigje konkrete se cila duhet të jetë vota për bashkitë e tjera.

“Kandidatët e tjerë që janë të së majtës apo të majtës. Janë të PS apo PL, kaq e thjeshtë. Qëndrimi politik i PD është ky. Votohet vetëm PD në këshilla dhe kandidatë atje ku i kemi. Kjo qëndron në frymën, orientimin, rregullat staturore të PD. Jo, PD nuk ka bërë koalicion. Ne dalim të vetëm sepse duam të tregojmë e testojmë dhe ringremë të djathtën e vlerave, jo ‘non grata-ve’, të djathtën që nuk pret me ankth çfarë do dalë nga SPAK, të djathtën e vlerave euro-atlantike”, tha Alibeaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë