Politike

Berisha konfirmon koalicionin: Dalim në zgjedhjet lokale me PL, PBDNJ dhe PDK

Pas takimit me deputetët, Sali Berisha konfirmoi se kandidatët e tij për kryebashkiake do të dalin në zgjedhje nën logon e koalicionit me partinë e Ilir Metës, Vangjel Dules dhe Nard Ndokës.

Një skemë kjo për të qenë edhe konform Kodit Zgjedhor sa kohe që për koalicion voliten të paktën dy parti parlamentare.

“Do të dalim në koalicion me PL, PBDNJ dhe PDK. Do të jenë në përputhje me ligjin. Koalicioni do të përfshijë të gjithë spektrin e djathtë. Koalicioni i gjerë fare do të jetë me shumë parti që zotohen të mbështetin kandidatët. Ka një ligj që merret përbazë rekordi elektoral. Mund ta quani koalicion “Fitimtar”, ashtu do të dalim, shihni Ramën, fytyrën skëterrë e ka”, tha Berisha pa thënë emrin e koalicionit.

Më herët, Berisha tha në mbledhjen e grupit parlamentar zhvilluar në selinë e PD-së se koalicioni opozitar do të jetë i gjerë. Ai nuk përmendi emrat e partive por u shfaq i sigurte kur përjashtoi edhe njëherë mundësinë për një bashkëpunim me Enkelejd Alibeajn.

“Ky është turi më i zjarrtë, më entuziast i të gjithë karrierës sime politike.

Si asnjëherë më parë, duhet t’u informoj ju: zjarri, entuziazmi, besimi në fitore është më i madh se çdo herë tjetër.

Demokratët dhe qytetarët janë në një mobilizim të paparë, për t’i dhënë Shqipërisë, vetes, të ardhmes së tyre, mbështetjen, ndryshimin që meritojnë.

Kjo shpjegon të gjithë tmerrin dhe tmerret e Edi Ramës dhe organizatës së tij kriminale që ai kryeson.

Përpjekjet e Ramës për të shkuar i vetëm në këto zgjedhje dhe për të përjashtuar opozitën e vërtetë nga zgjedhjet, morën fund. Ai dështoi me turp. Opozita finalizon në orët që vijnë koalicionin e fuqishëm me të cilin i jep Edi Ramës dhe monizmit të tij goditje fatale në 14 maj.

Ai mbetet në koalicion vetëm me Alibashën dhe Lulbravën. Një gjë do t’u them demokratëve: nuk ka zgjidhje më të gabuar sesa zgjidhja për t’u keqpërdorur si patericë e Ramës. Çdo qytetar, çdo demokrat duhet të angazhohet dhe të bëjë gjithçka për fitoren e opozitës dhe disfatën e Ramës. Të mbështesësh një njeri i cili nxin me emrin e tij sot kudo në Botë, zgjedh që të nxish veten tënde. E sigurt që Rama do ketë fatin e McGonigal, sepse krim nuk kryen vetëm ai që merr, por krim kryen edhe ai që jep.

Të marrësh përsipër për të kandiduar vetëm për të dëmtuar opozitën, vetëm për të ndihmuar Edi Ramën, kjo përbën një akt shumë të rëndë personal. Unë nuk mund të kem besim se “pallat Kapllani” që ka marrë mbi 90 tendera nga qeveria, nuk mendoj se nuk do t’i zbatojë urdhrat. Kam besim që qytetarët do t’i trajtojnë këta si paterica të Edi Ramës”, tha ndër të tjera Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë