Sali Berisha ka paralajmëruar rikthimin e protestave në takimin që zi zhvilloi në mesditë me kandidatët për kryetarë bashkie.
“Ajo që mund të them në tërësi ju si kandidatë keni bërë një punë shumë serioze, keni qenë të vetmit kandidatë që paraqitët alternativë të vërtetë për problemet e bashkive tuaja.
U dëshmuat njohës shumë të mirë të të gjitha problemeve. Studiuat me interes të madh dhe paraqitët zgjidhje për çështjet e keqqeverisjes aktuale dhe një alternativë shumë të mirë për të ardhmen.
Bëtë një fushatë serioze, një fushatë dinjitoze.
Qëndruat të gatshëm në çdo rast për transparencë dhe ballafaqim me rivalët tuaj politikë, gjë e cila kam bindjen se është një detyrim i çdo kandidati dhe politikani që merr pjesë në fushatën elektorale.
Në këto zgjedhje, natyrisht rezultati është larg atij që ju meritonit dhe që pritej.
Por, përsëri duhet të shtoj se beteja jonë kishte qëllimin më madhor, rikthimin e pluralizmit në qeverisjen vendore mbasi për fatin më të keq, PD në një kontribut antihistorik, kishte braktisur zgjedhjet e vitit 2019 dhe në një mënyrë ose një tjetër, bërë të mundur vendosjen e monizmit në Shqipëri.
Sot, në mbarë vendin, në të gjitha parlamentet lokale, ka një opozitë prej qindra këshilltarësh, të cilët i përgëzoj si për punën që kanë bërë dhe për misionin e rëndësishëm që kanë. Opozitë që i jep fund në aspektin parlamentar lokal, monizmit të plotë që ekzistonte”, tha Berisha.
Duke përsëritur qëndrimin e deritashëm se zgjedhjet në vend u voshën, Berisha tha se fjalët duhet t’ia lënë radhën veprimit.
“Në emër tuaj kam deklaruar se do mbroj votën dhe atë po bëj. Nuk e mbrojmë me armë, ne jemi opozitë e parimeve demokratike, nuk jemi as guerrilas, as parti e pushtetit me dhunë, përkundrazi ne jemi opozitë demokratike.
Por, në këto kushte, unë u ftoj ju të qëndroni si misionarë sepse Shqipëria, pluralizmi dhe demokracia janë në shkatërrim.
Ishte shumë e veçantë kur ju garonit kundër rivalëve tuaj dhe nuk kishim gjëkundi një këshilltar që të na informonte për të gjitha keqbërjet e këshillit dhe kryetarit. Sot kemi këshilltarë, edhe ata janë misionarë.
Ky mision ka një qëllim të pandryshueshëm. Qëllimi është rikthimi i votës së lirë te shqiptarët dhe votë të lirë me Edi Ramën kryeministër nuk ka. E kemi thënë dhe do e themi, nuk do tallemi me veten tonë.
Si misionarë duhet të përgatitemi krahas përpjekjeve për një analizë sa më serioze të problematikave tona të brendshme, që të ngremë partinë në një nivel tjetër administrativ, të përtërimë siç erdhët ju me primaret, të bëjmë gjithçka që shqiptarët të votojnë të lirë.
A e kemi bërë ne këtë? Jo. A e ka bërë për PD? Jo. Nëse në vitin 2021 në prill, të cilat ishin zgjedhje politike, PD do mbronte votën, do derdhej në rrugë, këto probleme që ndodhën, nuk do ndodhnin kurrë në këtë shkallë.
Por PD nuk e bëri këtë. Nuk e bëri as në vitin 2019.
Tani nuk mund të qëndrojmë vetëm në fushën e fjalëve. Vlerësoj çdo propozim për përmirësim maksimal të punës sonë. Por ju garantoj se me Edi Ramën, zgjedhje nuk ka.
Ndaj dhe ftoj çdo demokrat, t’i drejtohet fibrës së tij politike, ndërgjegjes së tij politike, të mos harrojë këtë gjë”, tha ai.
Por cili është veprimi i radhës?
“PD duhet t’i rikthehet protestës. E vështirë, sakrificë, por rrugë tjetër, ju garantoj se vetëm veten e gënjejmë…
Edi Rama tregoi fytyrën e tij, tregoi se ka futur në kthetra në mënyrën më mizore mediat, studiot televizive.
Unë u them këtyre zotërinjve se do u kundërvihem me forcën më të madhe gjersa ju shkelmoni interesin publik të shqiptarëve, gjersa ju nuk guxoni ta mbroni atë për arsye që i dini vetë dhe rreshtoheni në anën e qeverisë që kreu megakrimin elektoral më të madh në historinë e vendit. Që nuk shohin partinë e Doshit, që rriti me 310 përqind elektoratin, ndërkohë që Edi Rama është një blerës 10 herë më i madh se Doshi. Doshi është thjesht një çirak në blerje në krahasim me Ramën.
Ka vetëm një rrugëdalje, të ngrihen dhe të mbrojnë kombin e tyre nga një proces shkatërrimi që nuk e ka pësuar asnjë komb tjetër në botë. E gjitha kjo me mekanizmin e shkatërrimit të opozitës, sepse duke shkatërruar opozitën, vret masivisht shpresën”, tha ai
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje