Koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ hapi fushatën në stadiumin Air Albania. Në një ceremoni që zgjati mbi tre orë mbizotëruan fjala e kandidatëve të bashkive kryesore ne vend, me tej Ilir Meta dhe në fund Sali Berisha. Në nisje të aktivitetit PD-ja shpalosi një dokumentar që glorifikonte figurën e Sali Berishës, hidhte baltë mbi kryetarin e komanduar të PD, Enkelejd Alibeajn si ‘paterice’ e Edi Ramës dhe kishte “zhdukur” nga historiku i saj ish-kryetarin e PD-së për 9 vjet, Lulzim Bashën. Në nje ceremoni pompoze kandidatët u prezantuan një e nga një. I fundit që u shfaq në stadium me një hyrje të vecante me autobus, me premtimin kryesor transport falas ishte Belind Këllici. Ai hyri i fundit po foli i pari në hapjen e fushatës.

“…Ofroj vërtetësi, mirësi, besnikëri , ndihmë, zgjidhje. Unë jam i pari që besoj në premtimet që kam dhënë, dhe a e dini pse? Sepse janë të gjitha të arritshme, 100% të realizueshme.
Jam i lumtur veç kur e mendoj që 200 mijë banorë që udhëtojnë çdo ditë me urban, nuk do të paguajnë më. Me këto rroga e pensione, ato para do t’ju duhen në xhep. Minimalisht 52 mijë lekë më shumë në muaj, do ti keni në xhepat tuaj dhe kjo jo vetëm 1 muaj para zgjedhjeve, por çdo muaj, për 4 vite me rradhë.
U them gjimnazistëve, studentëve, pensionistëve dhe të gjithëve ju që për të njëjtin shërbim mizerabël, jua rritën biletën në 400 lekë: Autobusi do të jetë pa pagesë! Kushton vetëm 6.8% të buxhetit të bashkisë. Taksat tona nuk do t’i marrin më bosat e inceneratorëve. Ju nuk do të mbani më me para ata që janë në kërkim nga drejtësia. Financimi i inceneratorit imagjinar të Tiranës do të ndërpritet urgjentisht! Jo 70 e 80 mijë euro në ditë, por as 400 lekë biletë autobusi nuk do ju marrin më!…”, tha ndër të tjera Këllici. Më pas folën kandidatët kryesore të koalicionit, Luciano Boci, Bardh Spahia, Igli Cara e bashkitë e tjera ku opozita synon të rikuperojë.
Ilir Meta foli për fitore dhe tha se kandidatët e PS-së janë të konsumuar.

“Për shkak të eksperiencave, mendoj se është koha të vrapojmë. Edhe 29 ditë për t’i dhënë fund monizmit absolut në pushtetin vendor. Shpesh pyes veten, më në fund pas 4 vitesh do të shkallojmë atë që askush nuk e mendonte apo imagjinonte në Shqipëri, që ky vend anëtar i NATO-s, 100% pro europian të jetë vend ku në mënyrë të paligjshme një klikë kontrollon në mënyrë absolute të gjithë pushtetin vendor jo vetëm me kryebashkiakët por edhe këshilltarët. Ne e dimë shumë mirë se pushtet absolut do të thotë korrupsion absolut sic është e gjithë Rilindja në pushtetin vendor. Nuk është koha për ndryshim, por për revolucion.

Të gjithë të vrapojmë se përballë këta kandidatë nuk kanë rivalë por vetëm një regjim të kalbur në themelet e tij të korruptuara, kanë përballë një regjim. Këta janë kandidatët më legjitim që ka njohur historia e vendit tonë që në një ditë të acartë si ajo e 11 dhjetorit demokratët morën në këtë arenë të madhe të lirisë, pluralizmit politik e demokracisë. Përballë janë ata që s’pranojnë të dalin në studio televizive se kanë nga 2-3 mandate. Të vlerësojmë fuqinë tonë demokraci dhe kjo është vota, vetëm ajo bën ndryshimin. Të gjithë të shkojmë në votime, të votojmë për fitoren e këtyre kandidatëve…”, tha Meta. Në fund dhe para një stadiumi thuajse te zbrazur për shkka të tejzgjatjes së aktivitetit foli Sali Berisha.











Me sloganin “Ndryshimi në duart e tua”, Sali Berisja atakoi gjatë fjalës së tij kryeministrin Edi Rama.
“Edi Rama, siç konstatoni, ndjehet tmerrësisht i tmerruar. Është i tmerruar nga ju sepse ai e di se jeni misionarët e ndryshimit.
Është i tmerruar se ai e di që do humbasë në mënyrë të turpshme më 14 maj.
Atë e pret në mënyrë të pashmangshme, fati i mikut të tij, tradhtarit të kombit amerikan, Charles McGonigal.
Ai e di se nuk ka gjykatës në botë që të dënojë ryshfetmarrësit dhe të mos dënojë ryshfetdhënësin.
Nuk shpëton as se i vodhe vulën PD-së, nuk të shpëton as Soros, ky armik i egër i demokracisë shqiptare. Je krejtësisht i pashpresë.
Edi Ramës dhe rilindjes i themi këtu: jemi shqiptarë, ne o budallenj. Besën e prerë dhe votën e vjedhur nuk ta falim kurrë.
Ndryshimi është në duart tuaja. Bashkë do fitojmë!
Thirrjen që ndjeva unë e keni ndjeri edhe ju. Sot jeni pishtarë shprese që ndriçoni të ardhmen e Shqipërisë.
Zoti e bekoftë opozitën shqiptare, Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë.
Ju sot tregoni se shqiptarët nuk shiten, sepse nuk vini te ne se jeni të blerë me narkoeuro siç bën Edi Rama. Ju nuk vini te ne se u premtojmë privilegje apo vende pune, ju sot i tregoni çdo shqiptari se dinjiteti është dinjitet dhe se ne nuk jemi një popull që mund të mashtrohemi”, tha Berisha.

Sipas tij, opozita më 14 maj do të sjellë ndryshimin.
“Shqipërinë do e shpëtojmë dhe nuk ka forcë në botë që të na pengojë ne!
Por ka ende shqiptarë që thonë ç’më duhet mua, sepse propaganda banale qeveritare qarkullon një sofizëm, sipas të cilës këta janë të gjithë njësoj.
Ne kishim të metat tona, por kurrë nuk krahasohemi me këta.
Ne prisnim presidentin Xhorxh Bush, Edi Rama krenohej me mikun e ‘nderuar’ McGonigal, që e pret me padurim në sallën e gjyqit, në të njëjtën qeli do shkojnë.
Ne anëtarësuam Shqipërinë në NATO, këta duan ta nxjerrin nga Arbitrazhi vetëm pse i gjobit për vjedhjet që kanë bërë.
Këta janë të gatshëm që të aplikojnë praktikat e izolimit të Enver Hoxhës, por ne kurrë nuk do i lejojmë.
Ne dorëzuam pushtetin në kohën kur numri i shqiptarëve në Shqipëri rritej çdo vit. Në tetë vite të pushtetit të tyre u larguan mbi 1 milionë shqiptarë. Ne nuk jemi njësoj.

Ne dyfishuam rrogat dhe pensionet dhe i lamë në nivelet më të larta të rajonit. Këta i çuan pas 10 vitesh në nivelet më të uëlta të rajonit.
Ne kishim gabime, por ishim në grabitje. Me këta, njerëzit dhe shoqëria bien poshtë e më poshtë”, tha ai. Berisha u ndalk edhe tek familja e tij për të cilën jo pak akuzohet.
“Ne nuk jemi njëlloj, familjarët e Edi Ramës, që u denoncua në vitin 2014 se kishte fshehur 200 milionë euro offshore, janë vërsulur si lukuni mbi tendera.
Ndërsa familjarët e Sali Berishës, pas kontrolleve të agjencive më të fuqishme për shkak të vendimit korruptiv të marrë ndaj tij, gjetën se kishin zero, zero, zero përfitime!
Këtu i them Edi Ramës, se të gjitha ato tendera dhe prokurime të familjes tënde do u kthehen dhe do u bien mbi kokë.
Janë para që u vidhni qytetarëve shqiptarë, lukuni e pangopur.
Prandaj edhe fundi më 14 maj është i tmerrshëm për ju.
Ne nuk jemi njëlloj. Ne nuk do ndërtojmë kurrë kilometrin me 24 milionë euro në fushë. Por ne do ndërtojmë rrugë dhe shkolla me çmime reale, pra, 6 dhe 8 herë më të ulëta. Me paratë e mbetura do rrisim rrogat dhe pensionet.
Nuk po mohoj aspak gabimet, por sërish lexoni faktet.
Më 14 maj, ashtu si në vitin 1992, jemi në mision. Të mos themi ç’më duhet mua.
Të çojmë përpara misionin për të sjellë ndryshimin, për veten tonë në radhë të parë.
Ndaj dhe ju ftoj ju, mos çoni përpara vjedhjen dhe varfërinë tuaj, ndryshimi është në duart tuaja, bashkë fitojmë!
Mos çoni përpara monizmin, votoni ndryshimin për të shpëtuar pluralizmin!
Votoni ndryshimin për fëmijët tanë!
Ndryshimi është ndalimi i shpopullimit të Shqipërisë. Unë besoj se vitet e ardhshme ne do arrijmë gjëra të mëdha për veten tonë, për Shqipërinë”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje