Politike

Berisha: Vetëm Zoti më ndal nga Kuvendi, as Basha apo kush tjetër. Basha t’i thotë Kim që të kërkojë ndjesë. PD të mos hajë bar

Ish-kryeministri Sali Berisha i ka dhënë të gjitha përgjigjet në mungesë të një heshtje totale të Lulzim Bashës se cfarë duhet të bëjë me njeriun që e promovoi më shumë se askush tjetër në politikë, pas kërkesës së fortë të ambasadores amerikane Yuri Kim për të mos e përfshirë Berishën në Kuvend dhe reflektimit të dytë që ajo i kërkoi Bashës në një editorial të një dite më parë.

Përmes një konference për shtyp në më shumë se një orë, Berisha njoftoi se javën e kaluar avokati i tij kishte depozituar padinë në Gjykatën Konvencionale të Parisit por jo kundër vendimi të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, sepse siç u shpreh Berisha është “e drejte e tij kë të fusë në shtëpinë e tij dhe kë jo” por kundër “shpifjeve” mbi të cilat, sipas tij, është bazuar vendimi për shpalljen “non grata”.

Berisha fajësoi sërish raportet e George Soros dhe kryeministrit Edi Rama që sipas tij e kanë burimin kryesor tek qëndrimet e tij për ndryshimin e  kufijve të Kosovës dhe reforma në drejtësi.

“Shpreh besimin tek paanësia e gjykatës dhe garantoj shqiptarët se mbi këtë planet nuk ekziston njeri që mund të disponojë fakte apo dokument të vetëm që të faktoje çfarëdo lloj forme korrupsioni për Sali Berishën…”. tha ai.

Berisha tha shumëçka mbi qëndrimin që ai do të mbajë në Kuvend.

Sali Berisha konfirmoi edhe njëherë se ai nuk ka ndërmend që të heqë dore nga mandati i deputetit, pasi këtë gjë sipas tij mund ta bëjë vetëm zoti, duke i treguar rrugën që duhet të ndjekë Lulzim Basha.

Në të kundërt, Berisha ndër radhë paralajmëroi se do të ndërmarrë lëvizjet e veta politike “me çdo demokrat në funksion të transparencës dhe të vërtetës”.  

Duke e konsideruar unike qëndrimin e ambasadores për t’i diktuar një vendi se kush duhet të hyjë në Kuvend dhe kush jo, Berisha u përgjigj:

“Një gjë ju them juve se jeni të rinj se për të gjithë ata para gjeneratës tuaj diktati dhe bari janë binom i pandarë. Shqiptarët e dinë mirë se në diktaturë kur njerëzit për dramën e tyre i kishin deleguar arsyet diktatorit ai u ofronte si rrugë shpëtimi për mbrojtjen e tij barin, shqiptarët kanë hëngër nga bari dhe kanë vdekur nga bari, kjo ka ndodhur dikur edhe në Korenë e Veriut, pra diktati dhe bari janë të lidhura dhe gjithçka unë po bëj pikërisht është që shqiptarët të mos hanë bar dhe rruga e vetme që shqiptarëve të mos u ofrohet bari është transparenca, ndaj dhe në këtë kontekst unë nuk mbrohem nga imuniteti, as Kushtetuta por Berisha nuk pranon që nën diktat t’i shkelë ato, dhe rruga e vetme për t’i mbrojtur ato është transparenca.

Kështu që cilido të jetë qëndrimi im e them edhe njëherë nuk ka forcë në botë përveç të gjithëfuqishmit që mund të më pengojë mua pa ushtruar misionin tim të besuar nga zgjedhësit shqiptar. Kjo është përfundimtare…”, tha ai.

Më tej Berisha shtoi: “Me sa di unë kryetari i PD-së në takimin me Kim ka kërkuar të njëjtën gjë dhe ftoj çdo shqiptar të kërkojë të njëjtën gjë, transparencë, por ata që ofrojnë barin, kanë një problem madhor, ata kanë frikë nga e vërteta… Kam deklaruar se një fakt po të paraqitet unë marr vendimet e mia, por nga ana ime qëndroj i vendosur, dhe ta dini mirë që nuk ka forcë në botë që të më imponojë mua përveç transparencës një qëndrim tjetër përveçse asaj që kam shpallur, kushdo që më akuzon pa bazë ka probleme madhore me karakterin e tij…”

Berisha qartësoi se ai do të jetë deputet i PD-së edhe sikur një i vetëm të mbesë dhe se nuk kishte ndërmend që të largohej apo të dilte deputete i pavarur edhe sikur kjo të kërkohej edhe nga disa deputete të grupit parlamentar të PD-së.

“Në Kuvend do të futem ashtu siç më kanë votuar qytetarët shqiptarë. Çdo vendimi i cili në vend të transparencës zgjedh diktatin, unë do t’i kundërvihem me një aleancë me çdo demokratë dhe çdo shqiptare në betejën përfundimtare kundër këtij regjimi. Këtë do ta bej edhe në kuadër të PD. Unë kërkoj nga PD të mos angazhohet në këtë betejë, PD dhe cilido tjetër mendoj unë ka një detyrë; të kërkojë fakte prova dhe dokumente, në mungesë të tyre të mos pranojë kurrë diktatin sepse diktati të çon tek bari fyerjet poshtërimet që bëhen me barin, nuk po mbroj veten time por disa parime që janë jetike për çdo qytetarë të lirë”. Jo vetëm kaq.

Berisha e tha qartë disa herë i pyetur nga media se askush nuk mund të ndikojë në vendimin e tij për të qenë pjesë e Kuvendit

“Zëri im do të trefishohet në mbrojtje të interesit publik të shqiptarëve dhe të vërtetave dhe në mbrojtje të interesit kombëtar. Kjo nuk mund të ndryshojë me asnjë lloj presioni dhe mase nga kushdo dhe cilido qoftë në këtë tokë…”

“Nuk është në dorën e kërkujt të mos më çojë në Kuvend. E kanë në dorë vetëm zgjedhësit shqiptarë. Basha dhe asnjë kryetar partie asnjë institucion i Shqipërisë nuk mundet të bllokojë hyrjen në Kuvend të deputetit të votuar nga zgjedhësit shqiptar…” , ishin disa nga qëndrimet e tij.

Gjatë gjithë konferencës për shtyp Berisha dekonspiroi jo pak here takimin e Bashës me Kim. Tha se me Bashën kishte komunikuar rreth takimit, madje njoftoi disa herë gjatë konferencës se Basha i kishte kërkuar ambasadores Kim fakte dhe dokumente, dhe për këtë, ai tha se e përgëzonte Bashën      

“Kam komunikuar me Bashën dhe sigurisht që më ka njoftuar mua si pjesë e PD. Basha më ka njoftuar se në mënyrë të përsëritur i kam kërkuar ambasadores Kim të paraqesë një provë, një fakt, një dokument publikisht privatisht si të dëshirojë, zonja është përgjigjur i kemi por nuk mund t’i paraqesim…”

Berisha disa here shfaqi kritika të drejtpërdrejta ndaj Ambasadores Kim duke e cilësuar atë si guvernatore që, sipas tij. mbajti deklaratën “me skandaloze nga ndonjë perëndimor në këto 30 vite” kur foli për barin.

 I pyetur se çfarë do të bënte ai, nëse do të ishte kryetar i PD-së, Berisha u përgjigj: “PD do të mbetet e hapur si një parti pro-amerikane…Mendoj se deklarata që bëri ambasadorja në oborrin e PD është deklarata me skandaloze e 30 viteve të fundit, me barin kuptohet…Unë po atë ditë i kërkova të kërkojë ndjesë, por kjo nuk ka ndodhur. Mendoj se PD duhet t’i kërkojë (ambasadores Kim) që të kërkojë ndjesë publikisht dhe pa asnjë diskutim ajo mbetet e hapur për bashkëpunim me të gjithë përfaqësitë e vendeve mike në Shqipëri, bashkëpunim do të thotë bashkëpunim…” 

Berisha tha gjithashtu se reforma në drejtësi ka dështuar si dhe hodhi akuza ndaj anëtarëve të Gjykatës së Lartë, vettingu për të cilët, sipas tij po mbahet sekret.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë