Në konferencën e përjavshme për shtyp, kryetari i PD-së, Sali Berisha, kërkoi ndërprerjen urgjente të veprimtarisë së Bordit të Transparencës.
“Anëtarët të japin dorëheqje, të mos shndërrohen në vegël antikushtetuese të një qeverie e cila me vendimet e saj është shndërruar në një organizatë kriminale”, përsëriti Berisha, si një javë më parë.
Refuzimi nga mazhoranca i denoncimit të gjenocidit serb në Kosovë, sipas tij, është një “akt makabër antikombëtar”.
Berisha u pyet gjatë nga media për cështjen e ditës që lidhet me Presidentin.
Berisha tha se gjatë votimit do të jenë të pranishëm në Kuvend, por do të votojnë kundër.
“Nuk i njohim të drejtë Edi Ramës për të propozuar presidentin e Republikës duke pasur parasysh masakrën zgjedhore që bëri me armatën e patronazhistëve, me përdorimin e segmentëve të shtetit në fushatë. Me përdorimin e Dumanëve dhe bandave të krimit në katër anët e vendit. Rrugëzgjidhja e vetme do të ishte një president i propozuar nga opozita.
Edi Rama në vend të kësaj praktike që është ndjekur në situate të tilla, zgjodhi lojën me kukulla dhe pseudo opozitë që mund të quhet si shpifësirë politike.
I kaloi raundet me gjasme që po pres nga opozita. Manipuloi në mënyrë të paskrupullt dhe tani mbledh kryesinë për të komunikuar presidentin dhe për të marrë 100% të pushtetit.
Si Lukashenko, nesër do të quhet në mbarë Europën si Aleksandër Lukashenko Biss. Kjo është një detyrë urgjente e Partisë Demokratike që t’i japë Edi Ramës përgjigjen e merituar në kohën më të shkurtër. Nesër do të jemi në seancë për të votuar kundër”, tha Berisha.
Po nëse Rama propozon Ardian Dvoranin, si President, që SHBA e ka quajtur dhe “kampion i drejtësisë”?
“Presidenti nuk zgjidhet këtu për ndonjë shtet të SHBA, Presidenti zgjidhet për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nëse ka një gjykatës që simbolizon korrupsionin është Dvorani i partisë”, u përgjigj ai.
Berisha iu referuar edhe njëherë rezolutës së Kuvendit për të mos bojkotuar procesin e zgjedhjes së Presidentit
“Do të jemi për të votuar kundër ne nuk pranojmë bojkot, do të jemi aty dhe do të votojmë kundër, do të luajmë rolin tonë”, nënvizoi ai.
Berisha u pyet edhe për disa pakënaqësi të iniciuara nga Evi Kokalari ndaj Belind Këlliçit për votë të lobuar dhe të orientuar për anëtarët e rinj të kryesisë.
“Asnjë proces nuk është i paracaktuar. Lobimi është problem në cdo proces zgjedhor dhe vetkuptohet që si kryetar partie është një proces për mua shumë i papëlqyeshëm, por të garantoj se kudo që unë kam parë votime në partitë demokratike kam parë edhe lobime. Kjo është e vërteta.
Kam parë edhe lobime. Nuk ka pasur proces me transparent sesa zgjedhja e kryesisë por kaq transparente do të jetë e zgjedhja e nënkryetarëve, sekretarit dhe sekretarëve të PD-së, pra ajo që unë garantoj është transparenca e plotë. Lobimi nuk me pëlqen por të them që mund ta ndaloj me gjithë dëshirën që do ta kisha e konsideroj të pamundur…”, u përgjigj Berisha
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje