Bota

Biden konfirmon vrasjen e liderit të ISIS në një sulm amerikan në Siri

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njoftuan vdekjen në Siri të liderit të Shtetit Islamik, Abu Ibrahim al Quraishi, gjatë një sulmi ushtarak gjatë natës.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, tha se të gjithë anëtarët e Forcave Speciale të përfshirë në operacion janë të sigurt.

Biden – në një deklaratë – shpjegoi se ai i kishte dhënë dritën jeshile sulmit për të “mbrojtur popullin amerikan dhe aleatët tanë – dhe për ta bërë botën më të sigurt”. “Falë guximit dhe aftësive të Forcave tona të Armatosura, ne eliminuam liderin e ISIS nga fusha e betejës”, – vijoi ai.

Sipas burimeve të administratës amerikane, të cituara nga gazeta amerikane “New York Times”, lideri i Kalifatit hodhi veten në erë, në një shpërthim që vrau anëtarët e familjes së tij.

Presidentin amerikan Biden me zëvendës-presidenten Kamala Harris dhe anëtarë të Ekipit të Sigurisë Kombëtare teksa ndjekin operacionin

Në orët e fundit u përhap lajmi për një inkursion të forcave speciale amerikane në veri të Sirisë: një operacion masiv që rezultoi në vdekjen e 13 personave, përfshirë gjashtë të mitur dhe katër gra.

Sulmi filloi gjatë natës me përdorimin e helikopterëve. Komandot amerikane rrethuan një shtëpi në qytetin Atmeh, në rajonin e Idlibit, i njohur për praninë e xhihadistëve.

Ushtria ftoi njerëzit që ndodheshin në një shtëpi për t’u dorëzuar, por pas disa orësh, ata që ishin brenda hapnin zjarr, duke përdorur pushkë dhe granatahedhës.

Beteja vazhdoi intensive dhe përfundoi me një shpërthim që shkatërroi ndërtesën. Kishte faza të trazuara, me një helikopter të detyruar të bënte një ulje emergjente. Mjeti – sipas “New York Times” – u prish dhe u detyrua të ulet në tokë. Por nuk përjahtohet mundësia që të ketë pësuar avari nga të shtënat me armë të terroritëve.

Foto e publikuar nga Departamenti i Shtetit më 17 korrik 2020 me fytyrën e Abu Ibrahim al-Hashimi al-Quraishi

Fillimisht u mendua se objektivi ishte një eksponent i Al Kaedës, por më vonë doli emri i al Quraishit, një figurë e izoluar që kishte zënë vendin e Abu Bakr al Baghadi më 31 tetor 2019, gjithashtu i vrarë nga një bastisje në një fshat rreth tridhjetë kilometra larg.

Në të kaluarën ka pasur operacione të tjera ajrore në zonë me përdorimin e armëve speciale – të tilla si raketa ‘Ninja’ – për të reduktuar “dëmtimin kolateral”, me njerëzit e Osamës që ishin në shënjestër.

Numri i lartë i civilëve të vrarë – përfshirë fëmijë – sjell në mendje atë që ndodhi në Kabul pas masakrës së aeroportit të kryer nga Shteti Islamik. Një bastisje amerikane asgjësoi një familje afgane në një gabim tragjik: ata menduan se kishin identifikuar celulën terroriste të përfshirë në sulm, por bëhej fjalë thjesht për disa banorë. Çmimi i lartë i çdo konflikti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë