Gazeta Si – Joe Biden përfundimisht nuk po kërkon një konfrontim me Francën. Përkundrazi. Presidenti amerikan ka zgjedhur Macron dhe bashkëshorten e tij Brigitte si mysafirë të “darkës së parë shtetërore” që kur ai është në Shtëpinë e Bardhë.
Dhe arsyen e shpjegoi publikisht: “Emmanuel nuk është vetëm lideri i Francës, ai është një lider europian që ka demonstruar aftësitë e tij të mëdha”. Në këtë fazë të luftës në Ukrainë, qeveria amerikane dëshiron të bashkojë sa më shumë bllokun perëndimor.
Parë nga Uashingtoni, pozicioni i Macron duket hibrid. Muajt e fundit, ai ka qenë kreu i shtetit që më shumë se të tjerët është përpjekur të hapë negociatat me Putinin.
Megjithatë, pa gjetur një mbështetje në Shtetet e Bashkuara. Edhe të enjten në mbrëmje, Biden përjashtoi çdo negociatë, të paktën për momentin: “Dua të mat mirë fjalët e mia. Do të isha i lumtur të ulem në tryezë me Putinin, pasi të isha konsultuar me aleatët tanë të NATO-s, për të diskutuar paqen, nëse dhe vetë ukrainasit janë të gatshëm ta bëjnë këtë. Por Putini nuk po tregon ndonjë shenjë të vullnetit të vërtetë”.
Macron, nga ana tjetër, konfirmoi se ai kishte mbajtur një kanal të hapur me numrin një të Kremlinit, edhe pse “vetëm për të diskutuar sigurinë bërthamore”. Në ditët në vijim Macron dhe Putin do të flasin në telefon.
Bideni i bëri komentet gjatë konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë pas bisedimeve me homologun francez Emmanuel Macron.
Një mosmarrëveshje mbi subvencionet e SHBA-së për kompanitë e teknologjisë së gjelbër kërcënoi të prishte vizitën shtetërore të Macronit, megjithatë, të dy udhëheqësit sinjalizuan se kishin arritur të paktën të qetësonin grindjen pas bisedimeve të tyre një orë e 45 minuta në Zyrën Ovale.
“Ne ramë dakord të diskutojmë hapat praktik për të koordinuar dhe përafruar qasjet tona në mënyrë që të mund të forcojmë dhe sigurojmë zinxhirët e furnizimit, prodhimin dhe novacionin në të dy anët e Atlantikut,” tha Biden në konferencën e tyre të përbashkët për shtyp.
Kjo është vizita e parë shtetërore që kur presidenti amerikan mori detyrën në fillim të vitit 2021.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Franca po marrin një nismë të përbashkët: një konferencë ndërkombëtare për Ukrainën që do të mbahet në Paris më 13 dhjetor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje