Bota

Kremlini: Putin i hapur për bisedime për Ukrainën, por refuzon kushtet e Bidenit

Gazeta Si – Presidenti rus Vladimir Putin mbetet “i hapur për bisedime për të garantuar interesat e Rusisë”.

Kështu deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cituar nga agjencia e lajmeve “Tass”, pas ofertës së negociatave nga presidenti amerikan Joe Biden.

Peskov shtoi se Moska “e konsideron rrugën paqësore diplomatike si rrugën e preferuar për të arritur qëllimet e saj”.

Megjithatë, Rusia e ka të pamundur të pranojë kushtin e vendosur nga presidenti amerikan Joe Biden për negociatat, pra që trupat e Moskës fillimisht të largohen nga territori ukrainas.

Kjo u sqarua nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cituar nga agjencia tjetër e lajmeve ruse, “RIA Novosti”.

Të enjten, presidenti amerikan Joe Biden tha se ishte i gatshëm të bisedonte me Putin, nëse shefi i Kremlinit po kërkonte për një mënyrë për t’i dhënë fund luftës, por sipas tij, Putin nuk e ka lënë të kuptohet diçka e tillë.

“Presidenti i Federatës Ruse ka qenë dhe mbetet gjithmonë i hapur për negociata në mënyrë që të mbrojë interesat tona”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov për gazetarët kur u pyet për deklaratën e Biden.

“Mënyra e preferuar për të arritur interesat tona është përmes paqes dhe diplomacisë”, tha Peskov, ndërsa shtoi se “Putin ka qenë dhe mbetet i hapur ndaj kontakteve dhe negociatave”.

Ndërkohë, SHBA-të këmbëngulin se “kjo luftë mund të përfundojë që nesër nëse Putin ndalet”.

Deklarata u lëshua gjatë një interviste me transmetuesin francez “France 2” nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili më pas vazhdoi të akuzonte presidentin rus për “luajtjen e kartës së dimrit” për “përdorimin e tij si mjet lufte”.

Në çdo rast, përfundoi Blinken, një takim midis Volodimir Zelenskit dhe Putin do të ishte i mundur nëse Moska do të ishte “serioze për diplomacinë dhe dialogun”, por presidenti rus bën “krejt të kundërtën”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë