Marrëveshja e arritur mes mazhorancës dhe opozitës më 5 qershor me ndërmjetësimin e Ambasadës së SHBA në Tiranë, çuditërisht është shndërruar në burimin e ngërçit të ri mes palëve në Këshillin Politik.
Të dyja palët publikisht shprehin vullnetin për t’i qëndruar marrëveshjes, por ndahen në mënyrën e interpretimit të pikave të saj. Shkak është bërë propozimi i paraqitur në tryezë nga ekspertët e opozitës për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të tre trupave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Propozimi opozitar anashkalon Parlamentin në vendimmarrjen për zgjedhjen e Komisionerit, zv.Komisionerit dhe anëtarëve të Komisionit Rregullator dhe të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve. Sipas këtij propozimi, vendimmarrja në përzgjedhjen e anëtarëve të tre trupave të KQZ-së i lihet në dorë institucionit të Avokatit të Popullit. Ky i fundit ngarkohet me detyrën që të ngrejë një Komision Ad Hoc për përzgjedhjen e kandidaturave. Përbërja e Komisionit propozohet që të jetë me 5 anëtarë, dy nga mazhoranca dhe dy nga opozita.
Komisioni përzgjedh anëtarët dhe më pas i dorëzon Kuvendit në bllok për miratim një listë, që më parë duhet të kalojë në Komisionin e Ligjeve. Kuvendi ka të drejta të rrëzojë herën e parë me shumicë të thjeshtë votash këtë listë dhe t’i kërkojë Avokatit të Popullit nisjen e procedurave nga e para.
Avokati i Popullit pasi zbaton procedurat brenda afateve kohore të përcaktuara sipas propozimit të demokratëve, dorëzon në Parlament listën e dytë. Këtë herë, që Kuvendi ta rrëzojë propozohet shumicë e cilësuar prej 84 votash, ose tre të pestat.
Kjo formulë e përzgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së së re kundërshtohet nga socialistët, që e kanë refuzuar pasi anashkalon Kuvendin.
“Në lidhje me propozimin për formulën e emërimit të KQZ-së, si dhe mekanizmat e vendimmarrjes që janë propozuar u shprehëm kundër dhe nuk mund të diskutohen më në mbledhjen e radhës. E gjykojmë një propozim jashtë marrëveshjes dhe traditës parlamentare për rolin e Kuvendit në zgjedhjen e KQZ-së”, u drejtohet Damian Gjiknuri përmes një mesazhi kolegëve të tij të opozitës në Këshillin Politik.
PS është në pritje të një tjetër propozimi, që i jep Parlamentit fuqinë e vendimmarrjes.
“Që respekton faktin që Kuvendi është sovran në zgjedhjen e organit të KQZ-së duke siguruar edhe konsultimet dhe dakordësimet në lidhje me emrat që plotësojnë kriteret dhe kanë miratimin tuaj. Pra, e theksoj vetëm nëse sillni propozim të ri bazuar në këto parime mund të vazhdojë ky diskutim”, vijon Gjiknuri.
Por, për opozitën, ky qëndrim i shumicës është përpjekje për të kapur KQZ-në nga socialistët, përmes Parlamentit që e kontrollojnë.
“Ne kemi bërë propozim sot për një formulë të emërimit të anëtarëve të tre trupave të KQZ, të ekzekutivit, të organit rregullator dhe ankimor nëpërmjet një formule të mirë pranuar që sot është në Kushtetutë dhe është formula për zgjedhjen e organeve të sistemit të drejtësisë. Një formulë që garanton një shqyrtim të pavarur jo politik të kandidaturave. Mazhorancës i intereson kapja e plotë e KQZ në të tre organet”, thotë përfaqësuesi i PD në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi.
Opozita thotë se propozimi i saj është në frymën e dakordësisë së 5 qershorit dhe mbështetet në pikat 2 dhe 3 të marrëveshjes së firmosur me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve. Por, PS mendon se propozimi në fjalë shkel parimet e kësaj marrëveshjeje dhe se Parlamenti nuk mund të anashkalohet.
Damian Gjiknuri tërthorazi hodhi poshtë akuzën e opozitës së socialistët kontrollojnë Parlamentin, edhe deputetët e opozitës parlamentare. Ai deklaroi se është fakt që politika është tripolare, duke nënkuptuar se në një anë qëndron shumica socialiste, në njërën anë PD-LSI dhe aleatët e tyre jashtë Kuvendit dhe në një anë tjetër opozita parlamentare.
“PS është shprehur publikisht që do të respektojmë marrëveshjen me PD. Ky nuk është një proces i thjeshte. ne nuk i kemi votat. Ne do të punojmë aq sa kemi mundësi për të bërë votat, por aty janë disa aktorë të tjerë politikë. Politika tashmë është bërë tripolare dhe tashmë duhet të gjejmë një zgjidhje edhe me ta. Qëndrimi ynë ka qenë që këtë marrëveshje ta çojmë deri në fund”, deklaroi përfaqësuesi i PS në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri.
Çfarë parashikon marrëveshja e 5 qershorit
Burimi i përplasjes së re mes dy palëve është interpretimi i marrëveshjes së 5 qershorit. Të dyja palët pretendojnë se me qëndrimet e tyre kundërshtuese me njëra-tjetrën po u qëndrojnë parimeve të paktit të ndërmjetësuar nga Ambasada Amerikane. Por, çfarë parashikon ky pakt?
PD përmend pikat 2 dhe 3 të marrëveshjes për të mbështetur qëndrimin në propozimin e bërë që anëtarët e rinj të KQZ-së të përzgjidhen nga Avokati i Popullit. Pika dy e paktit është ajo që i jep opozitës postin e nënkomisionerit, që për çështjen e teknologjisë dhe procesit të identifikimit të votuesve elektronikisht ka të drejta të barabarta me Komisionerin. Për këtë pjesë, palët kanë dakordësinë.
Pika tre është ajo që interpretohet ndryshe nga demokratët dhe ndryshe nga socialistët. Kjo pikë përcakton strukturën e KQZ-së që do të përbëhet nga një organ rregullator, një organ ankimimi dhe nga organi ekzekutiv. Përveç organit ekzekutiv, që është posti i Komisionerit, dy organet e tjera përcaktohen me nga 5 anëtarë mbi bazën e ndarjes shumicë-pakicë, ku 3 anëtarë i takojnë shumicës dhe 2 pakicës. PD thotë se formula e propozuar prej saj e garanton këtë, duke u dhënë socialistëve 3 anëtarë dhe opozitës 2 të tjerë, si tek Rregullatori, ashtu edhe tek Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve. Ajo që ndryshon është vetëm rruga e zgjedhjes së këtyre anëtarëve, ku Parlamentit i caktohet vetëm detyra e noterizimit.
Socialistët thonë se kjo është e papranueshme, pasi Kuvendi nuk mund të anashkalohet nga ky proces. Ata kundërshtojnë gjithashtu edhe mandatin e anëtarëve dhe të tre trupave të KQZ-së, që sipas propozimit të demokratëve është vendosur 4-vjeçar. Gjiknuri tha se kjo shkon përkundër parimeve të marrëveshjes, që synon përgatitjen e terrenit dhe ngritjen e një administrate drejtuese në KQZ profesionale dhe të aftë që të ndërmarrë procesin e depolitizimit në zgjedhjet pasrendëse edhe tek komisionet e qendrave të votimit dhe të qendrave të numërimit.
Ndërkombëtarët mund të ndërhyjnë sërish
Deklarata e Sekretarit të Shtetit të SHBA, Mike Pompeo, që përshëndeti marrëveshjen për ndryshimet në Kodit Zgjedhor dhe kërkoi sa më parë pasqyrimin e kësaj dakordësie mbërriti në kulmin e “rezistencës” së opozitës parlamentare, që paralajmëroi se nuk do të votojë në Parlament ndryshimet nëse nuk plotësohen kërkesat e saj për ndryshim të sistemit zgjedhor, votën e emigrantëve dhe më vonë edhe ndalimi i koalicioneve.
Reagimi dhe nismat e opozitës parlamentare, përfshirë këtu edhe propozimet për të ndërhyrë në Kushtetutë u bënë para se PS-PD dhe LSI të përmbyllnin ato që quheshin detaje teknike të marrëveshjes dhe të dorëzonin, siç thanë, para të martës (16 qershor) në Parlamenti draftin përfundimtar.
Deklarata e Mike Pompeos u interpretua si një mesazh i drejtpërdrejtë drejtuar opozitës parlamentare që të tërhiqej nga qëndrimi bllokues i paktit. Nëse ishte i tillë, ai u mor nga një pjesë e deputetëve të grupimit opozitës. Të parët që u tërhoqën ishin deputetët Artur Roshi dhe Besnik Troplini, duke mos plotësuar numrin e nevojshëm të deputetëve që propozimet për ndryshimin e Kushtetutës të merren parasysh, që është 28.
Por, dy deputetet e grupit parlamentar socialist, Reme Lala, Elena Xhina dhe Lefter Koka, që ka dalë nga LSI dhe refuzoi të dorëzojë mandatin, e firmosën marrëveshjen duke e çuar në 30 numrin e deputetëve firmëtarë.
Por, pesë deputetët të tjerë të opozitës parlamentare, njoftuan këtë të mërkurë tërheqjen nga propozimi. Kujtim Gjuzi, Selami Jenishehri, Krenar Rryçi, Zef Shtjefni dhe Vasil Steriovski e bënë publik njoftimin e tyre në fund të një takimi me Gramoz Ruçin.
Në të gjitha këto zhvillime me tre porta, ku nga njëra anë po tingëllon e pamundur përfundimi i marrëveshjes në Këshillin Politik dhe në anën tjetër kërcënimi i opozitës parlamentare për të mos votuar ndryshimet në rast të një marrëveshje të mundshme që nuk plotëson kërkesat e tyre për ndryshim sistemi zgjedhor, nevoja për ndërhyrjen e ndërkombëtarëve duket e pashmangshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje