Atëherë kur mendohej se mbledhjet e Këshillit Politik ishin thjesht formale dhe për të vulosur punën e ekspertëve të të dyja palëve për të reflektuar në Kodin Zgjedhor marrëveshjen e 5 qershorit, e papritura ka ndodhur.
Mazhoranca dhe opozita janë përplasur në dy pika, në formulën e zgjedhjes dhe afatin e mandateve të anëtarëve të tre trupave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe në parashikimin në Kod Zgjedhor të procedurave të përshpejtuara për tenderimin e teknologjisë në zgjedhje.
Nga Partia Demokratike akuzojnë socialistët se përmes Parlamentit aktual duan të zgjedhin vetë anëtarët e KQZ-së me mandate përtej 4-vjeçarit duke i hequr opozitës garancitë në nivelin më të lartë të administrimit të procesit.
Opozita thotë se formula e propozuar prej saj për zgjedhjen e anëtarëve të tre trupave të KQZ-së është e njëjta formulë e përzgjedhjes që është përdorur për organet e reja të sistemit të drejtësisë. Kjo formulë e prezantuar asokohe nga faktori ndërkombëtar, u pranua nga palët si zgjidhje për të ruajtur profesionalizimin dhe pavarësinë e institucioneve. Formula i jep një rol thelbësor institucionit të Avokatit të Popullit dhe parashikon tre faza:
a) Kontrolli i kritereve formale nga një institucion i pavarur kushtetues, si Avokati i Popullit.
b) Zgjedhja nga një komisioni përzgjedhës i kandidatëve, me përbërje të balancuar, 3 maxhoranca dhe 2 opozita.
c) Votimi i listës në bllok nga Kuvendi.
Lidhur me kohëzgjatjen e mandateve të anëtarëve të KQZ, opozita propozon që të ruhet kohëzgjatja e që është aktualisht në fuqi, ku Komisioneri dhe Zëvendëskomisioneri të kenë mandat 4- vjeçar, me të drejtë ripërtëritje vetëm një herë, anëtarët e Rregullatorit dhe KAS të kenë mandat 6-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje vetëm një herë.
Për vendimmarrjen, opozita kërkon që të ruhen garancitë aktuale dhe vendimmarrja me shumicë të cilësuar.
Por, nga Partia Socialiste oferta e opozitës konsiderohet si përpjekje për të ruajtur “status quo”-në në KQZ. Damian Gjiknuri u ndal tek kërkesa për kohëzgjatjen e mandateve.
“Të krijojmë një trup KQZ të qëndrueshme duke reflektuar dhe kërkesat e opozitës edhe anëtarë me mandate shumë më të gjata se sa janë sot. Ata kërkojnë mandate 4-vjeçare siç janë sot dhe duan të kthehen te KQZ aktuale. është më e ndershme të mbajmë atë që kemi nuk kemi pse bëjmë gjithë këtë debat”, tha Gjiknuri.
Një tjetër kërkesë e opozitës ishte edhe përfshirja në Kodin Zgjedhor e procedurave të përshpejtuara të tenderimit për përfshirjen e teknologjisë në procesin zgjedhor, duke shmangur kështu ligjin e prokurimit publik. Edhe kjo pikë u rrëzua nga mazhoranca.
“Nuk e di që në ndonjë Kod Zgjedhor të shkruhen procedura tenderimi. PD e kërkon këtë gjë. Besoj se nuk është normale që një ligj zgjedhor të përfshihet në procedura tenderimi”, deklaroi Gjiknuri.
Kundër këtij propozimi të opozitës ka dalë edhe deputetja Rudina Hajdari, që e braktisi mbledhjen e para.
“Unë nuk kam ardhur këtu të merrem me tendera dhe të merrem se si do t’i ndajnë këta pasuritë. Unë u largova sepse kam shumë gjëra më të mirë për të bërë. Po përpiqen që të futin në ligj mënyrën e tenderimit dhe kjo nuk duhet dhe nuk mund të ndodhë në Kodin Zgjedhor”, u shpreh ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje