Kur mbeten edhe 2 ditë nga mbajtja e Kuvendit të 11 dhjetorit deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, që ka bashkëpunuar si me Berishën ashtu edhe me Bashën beri një radiografi të gjithë aksionit politik të Lulzim Bashës qysh kur mori drejtimin e PD-se për të dalë në disa përfundime të pathëna më parë.
1-Vendosi më 16 shkurt 2017, pa pyetur askënd dhe pa dijeninë e organeve te partisë, që të ngrinte Çadren. Nuk dihej kush ishin keshilltarët që ia dhanë atë ide.
Brenda Çadrës atrofizoi partinë në një stërmundim pa krye, duke ushqyer kultin e tij në tentativë për t’u bërë lider. Ai fliste, anëtarët dëgjonin dhe duartrokisnin, por nuk flisnin.
2- Vendosi natën e 17 majit 2017, pa pyetur ata që e prisnin në Çadër, që ta mbyllte atë me një marrëveshje me personin që vetë anatemonte si Djall. Madje me marrëveshje personale i dha koalicionin, armën fituese të opozitës.
Askush nuk pati mundësi të thotë diçka. Nuk dihet kush e këshilloi për këtë.
3- Nuk pyeti askënd atë pranverë të 2017 për qindramijëra dollarët e një fotoje me Trump. Nuk fitoi asgjë, ndërsa ato para i duheshin partisë si uji në shkretëtirë. Askush nuk foli dot. Dhe për këtë nuk dihet kush e keshilloi se ajo foto do ta bënte të madh, të besueshëm, fitues.
4- Nuk pyeti njeri kur hartoi i vetëm listat e kandidatëve të 2017, kur përzuri politikanë që ishin fibër politike e partisë nën pretendimin se po pastronte strukturat edhe pse kishte bashkëqeverisur me ta, njësoj si ata.
I hoqi krejt papritur e pa asnjë proces, përtej ç’kishte thënë e premtuar, i sigurt pas Marrëveshjes së 17 majit, duke i zëvendësuar me të rinj që edhe ata i hodhi tej vetëm pas një vit e gjysëm në parlament.
Nuk i la kohë askujt të flasë atë natë të listave që pasoi natën e Marrëveshjes.
E kur ata që u zbuan folën më pas, vuri portale e njerëz t’i anatemojë që të mbyllnin gojën.
Nuk dihej kush ishin këshilltarët (kujtoni etiketimin “këshilltarë mizerabël”).
5- Zhduku në Çadër e në fushatë logon dhe simbolet e partisë pa pyetur kënd. Sajoi simbole e logo të re. Filloi transplantin e palcës së PD. Simbolet që emociononin anëtarët nuk duheshin përdorur më.
Askush nuk i pyeti anëtarët. Ata e panë logon e huaj të Republikës së Re, heshtën e nuk thanë gjë të hutuar. Sërish nuk dihet kush e këshilloi, por sërish këshilla nuk i erdhi as nga demokratët e as nga forumet që logon e kanë në zemër dhe jo patentë tregtare”, shkruan Bylykbashi, për të vijuar më tej.
“6- Humbi zgjedhjet e 2017 si kurrë më parë si pasojë e dhurimit të koalicionit dhe marrëveshjes me atë që vetë e quante Djall.
Nuk i la askujt kohë të flasë duke u rizgjedhur me një proces rrufe. E kotë të flisje apo të kërkoje llogari, Ai ishte rizgjedhur.
7-Ndryshoi statutin e partisë në 2018 duke e piramidalizuar partinë, si repart ushtarak. Foli për përgatitje të ushtrisë për luftën që do të fillonte sërish kundër regjimit. Në ushtri nuk flitet, zbatohen urdhrat.
8- Dogji papritur mandatet e deputetëve më 17 shkurt 2019, me një deklaratë për mediat, përkundrejt këshillave që ai veprim do ta çonte partinë në katastrofë e do t’i jepte pushtetin Ramës. Nuk pyeti askënd. Ndoshta e udhëzuan prapë këta këshilltaret e dyshimtë jashtë partisë. E deklaroi, e bëri fakt, ndezi njerëzit e pastaj bëri sikur pyeti forumet.
9- Vendosi të mos hynte në zgjedhjet e 2019. Vendosi të bllokonte zgjedhjet. Madje edhe vëzhguesit e huaj nuk kishin punë të rrinin, iu çua mesazh që duhej të iknin sepse zgjedhje nuk do të kishte. Kush foli nuk u dëgjua. E kotë të flisje, bindja ndaj vendimit ishte rruga e mbetur.
Nuk pranoi asnjë përgjegjësi. Kush e kritikoi u anatemua.
10-Sërish erdhën zgjedhjet pas dy vitesh ku partia u atrofizua në rrugë, në aksione pa aksion. Sërish nuk pyeti askënd për listat e kandidatëve. Proceset farsë të perzgjedhjes se emrave vetëm sa i vunë anëtarët kundër njëri-tjetrit dhe nuk u morën fare në konsideratë”.
Bylykbashi nënvizon se Basha ngriti një kult që piedestal ka mosfoltoren.
“Më 11 dhjetor 2021 rrëzojmë Mosfoltoren që të çlirohemi nga kulti i individit! Atë ditë merrni me vete logon e PD që keni në zemër pa i marrë leje Mosfoltores.
Askush nuk të dënon pse kërkon demokraci kundër njëshit që ta ka rrëmbyer e përvetësuar.
Atë ditë flisni me votë”, shkruan ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje