Politike

CDU: I paimagjinueshëm bashkëpunimi me Berishën! Ballkani i Hapur të mos rivalizojë Berlinin, Tirana të ndahet nga Shkupi

E djathta gjermane ndan të njëjtin qëndrim si SHBA sa i takon vlerësimit të Sali Berishës dhe thotë se do ta ketë të vështirë që të bashkëpunojë me një person të shpallur ‘non grata’.

“Nuk mund të flas publikisht dhe zyrtarisht për të mbajtur anë në konfliktin brenda PD, por edhe për faktin se aleatët tanë Amerikanë, kanë të njëjtin këndvështrim si ne në Gjermani. Nuk ka diferencë në emërtimet tona. Edhe ne e kemi të vështirë që të bashkëpunojmë me një person të tillë në të ardhmen. Është e paimagjinueshme që të bashkëpunojmë me një person që është shpallur nga aleatët tanë më të ngushtë non grata”, deklaroi nga Tirana deputeti i CDU-së dhe raportuesi për Shqipërinë në Bundestag, Peter Beyer.

Ai refuzoi që të mbajë hapur anë, ndërsa foli vetëm për rëndësinë e forcimit të Partisë Demokratike. “Nuk është qëllimi ynë që të përjashtojmë PD nga PPE. Kemi interes që Partia Demokratike të luajë brenda Partive Popullore rolin e vet, si parti e fortë opozitare”, vijoi Meyer.

Deputeti gjerman foli edhe për procesin e Berlinit. Ai u kujdes të theksojë se personalisht e mbështet këtë nismë, por se ky nuk ishte qëndrim i qeverisë federale gjermane.

“Ky nuk është vendimi i qeverisë federale, por nëse Ballkani i Hapur bëhet në mënyrën e duhur, me bosht të qartë, transparencë dhe gjithëpërfshirëse sjell përparim. Bëhet fjalë për bashkëpunim rajonal dhe ne e mbështesim. Nëse zhvillohet në kuadër të procesit të Berlinit dhe jo paralel. Asnjë vend nuk duhet të dominojë Ballkanin e Hapur, por vendet të jenë në pozita të barabarta”, tha ai.

Sa i takon negociatave, sipas Peter Beyer ka ardhur koha që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut nëse Bullgaria këmbëngul në veton e vet ndaj Shkupit për mosmarrëveshjet që kanë.

“Vetoja bullgare ka vendosur në një situatë turpi Bashkimin Europian. Shqipëria ka plotësuar kushtet dhe ka ardhur momenti që procesi të vijojë më tej. Situata duhet të zhbllokohet. Ne i kemi trajtuar dy vendet si çift deri më tani, por në vazhdën e bllokadës bullgare, mendojmë se ka ardhur momenti që të ndajmë rrugën e Shqipërisë nga ajo e Maqedonisë së Veriut”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë