Politike

Cili është Presidenti i Ramës që do të marrë votat e PD-së?

Emrin e Presidentit të ardhshëm mund ta kemi të dëgjuar mjaftueshëm, por ngjarjet detyrojnë të presim edhe disa ditë.

E sigurt është që brenda datës 4 Qershor do të kemi një kandidat për President, emrin e të cilit do e firmosin si kapar 20 deputetë socialistë. 

Për shkak të detyrimit kushtetues dhe përçarjes së opozitës, socialistët u detyruan ta linin lojën me emra kandidatësh apo zarfesh me kandidatë që nisën 3 javë më parë edhe sepse kjo loja e zarfeve u rrëzua nga vetë kryeministri.

LEXO EDHE:
Emri i Ramës për Presidentin që vë në provë opozitën

Deputetët në grupin parlamentar bënë propozime për emra socialistësh si presidentë, por një deklaratë e Ramës se kryetari i shtetit nuk do jetë nga grupi i PS, i la të majtët me gisht në gojë. 

PS i bie daulles që ta dëgjojnë të gjithë jehonën dhe thotë se është një parti që synon të zgjedhë një President për shqiptarët dhe jo për PS. Këtu situata nis e qartësohet.

Edi Rama mund ta provokojë opozitën në Kuvend, duke propozuar një emër, të cilin për shkak të miqësive të vjetra, disa deputetë të PD -së do e votonin. 

Kjo e bën Presidentin e ardhshëm edhe të opozitës.

Opozita mund të japë disa vota, por jo baltën për kandidatin që Rama e ka ruajtur me aq diskrecion kësaj here.

Berisha ka thënë se nuk do e bojkotojë zgjedhjen e Presidentit të ri, por do të votojë kundër.

Berisha mbase “harron” që votimi për Presidentin është i fshehtë, mund të ketë rrjedhe votash nga grupi i tij, por kutitë që do mbajnë fletët e votimit, do e marrin me vete mënyrën e votimit.

Edhe nëse Berisha voton PRO kandidatit për President, duke ua bërë katran Presidentin e ri, sërish nuk do të merret vesh, pasi votimi është i fshehtë. Kundër bojkotit foli edhe Alibeaj.

Ai tha se nuk do të bojkotojë asnjë proces, pra të gjithë do të jenë në sallë, duke pritur të zgjedhurin e Edi Ramës. Ky i fundit pasi është vetëkënaqur, duke thënë se e pritëm opozitën, por ata nuk e sollën kandidatin, do të lëshojë mbi parlament emrin që do të përmbushë kandidatin e gjithëpranuar, kandidatin që nuk i ngjan Ilir Metës dhe kandidatin që socialistët do e votojnë, se ashtu thotë kryetari.

Por ajo që do të tregojë kësaj here se seanca plenare nuk do të shkojë kot, do të jetë prezenca e ambasadorëve. Nëse automjetet e ambasadorëve do të parkohen në oborrin e Kuvendit, ne datën 4 Qershor,  atëherë atë ditë do të kemi Presidentin e tetë të Republikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë