Politike

Dallimet e 3 fushatave / Nga motoja, “ta lëmë Saliun pa punë”, reformat, tek reflektimi i Ramës brenda PS

Duke qenë në sfidë vetëm me mendimet e tij, gjatë ditëve të paqeta të qershorit të 2013-ës, Edi Rama, do të kërkonte votën e shumëkujt në vend, me moton: “Kush do punë, të lërë Saliun pa punë”.

Rama i fitoi zgjedhjet duke premtuar kryeministrin e halleve të gjithësecilit, i majtë apo i djathtë.

Ai ndërmori një sërë reformash të guximshme për kohën, për të kaluar në fushatën pa sforco të 2017-ës, duke u zdërzgjahur në batuta me timon e tepsi, e ngazëllyer veten në shifra se qeverisja e tij kishte shënuar rritje ekonomike, zbutur papunësinë, përmirësuar sistemin shëndetësor, ulur borxhin publik nën 70% e rritur pagat e pensionet.

Sot, në përpjekjen e tij për të hyrë në historinë pluraliste me një mandat të tretë qeverisës, Kryeministri Edi Rama ishte larg ngasjes së dy fushatave të mëparshme.

I bindur se ngjarjet e pazakonta si tërmeti dhe pandemia kanë tundur themelet e kësaj qeverie, Edi Rama kërkoi nga të vetët reflektim të thellë.

Për të kaluar më pas në vlerësimin online nga anëtarësia socialiste për punën e gjithësecilit, i bindur se, ajo që ai ka bërë nuk mjafton e as mendimi i tij për punën e ekipit drejtues.

Rama nuk sheh kundërshtarë të dukshëm kur iu referua opozitës aktuale sepse, sipas tij, ajo mbetet një humbëse kronike.

Por ai i druhet kundërshtarëve “të padukshëm” atyre brenda partisë, “ tek lodhja e një pjese”, tek “mërzia e një pjese tjetër”, tek “lëkundja e disave mes votimit për PS dhe mos votimit hiç”, tek “zhgënjimi apo humbja e durimit edhe e disave brenda radhëve të PS-së”

Përkundër kësaj, Rama sqaroi se nëse do të votohej këtë të dielë, PS do të fitonte. Por jo aq. Jo sa zgjedhjet e shkuara. Duke shfaqur ashiqare drojen se shumë të pakënaqur nuk do të afrohen pranë kutive të votimit, Rama kërkoi hapje të partisë me “gjak” të ri përmes listave të hapura.

Sepse, asnjë prej deputetëve të ulur para tij në fushën e Labinotit nën sfondin e statujës së Skënderbeut nuk e kishte të sigurt përfshirjen në formacionin e ardhshëm.

“Kjo kohë është e mjaftueshme për t’i dhënë përgjigje çdo ditë, çdo deputet, pyetjes se çfarë do të bëj unë për Partinë Socialiste sot.

Ndërsa koha për të pyetur çfarë do të bëjë Partia Socialiste për mua ka mbaruar motra dhe vëllezër…”, tha Rama, i cili për herë të parë pas 7 viteve qeverisje, e kthehu vëmendjen kryesore tek vetja, dhe të vetët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë