“Me të, apo pa të, ne objektivin tonë maksimal në Vlorë do ta arrijmë”. Këto ishin fjalët e Kryeministrit Edi Rama pak para zyrtarizimit të kandidaturave për deputetë të Partisë Socialiste. Deklarata i referohej Dritan Lelit, për të cilin tha se e kishte ftuar për të qenë pjesë e listës së kandidatëve, por se kryebashkiaku i Vlorës kishte refuzuar.
Tashmë nuk ka asnjë dilemë; PS e Vlorës duhet ta arrijë objektivin e vendosur për 9 mandate në këtë qark pa Dritan Lelin. Kryebashkiaku i Vlorës nuk do të jetë pjesë as e fushatës së socialistëve për 25 prillin.
Vendimi u është komunikuar drejtuesve socialistë të Vlorës nga Damian Gjiknuri, drejtues qarku i partisë.
Për momentin Leli duket se është i përjashtuar vetëm nga fushata, ndërkohë që koha do të tregojë nëse përplasja e kryebashkiakut të Vlorës me partinë do të çojë në përjashtimin e tij, e ndoshta edhe në kërkesën për t’u dorëhequr nga bashkia, duke ndjekur gjurmët e paraardhësit të tij në këtë institucion, Shpëtim Gjika.
Deri më tani i sigurtë është largimi i tij nga fushata e socialistëve. “Konfirmimin” e dha në heshtje edhe vetë Kryeministri Edi Rama, që pak orë pasi PS-së së Vlorës iu komunikua “izolimi” i kryebashkiakut organizoi në qytetin bregdetar një takim me kandidatët për deputetë.
Gjatë të gjithë fjalës së tij, Rama e shmangu emrin e Dritan Leli. Ai foli gjatë se përse vlonjatët duhet të votojnë Partinë Socialiste, duke renditur me radhë projektet e realizuara, ato në realizim dhe projektet për t’u realizuar, përfshirë këtu aeroportet në Vlorë e Sarandë dhe tunelin e Llogarasë.
Drejtuesi politik i socialistëve në këtë qark, Damian Gjiknuri bëri një rezyme të secilit kandidat të socialistëve, fushat e jetës nga mbërrijnë, lidhjet e forta me bazën, se sa përfaqësues janë të Vlorës dhe se objektivi prej 9 mandatesh është plotësisht i realizueshëm, por as ai nuk e përmendi emrin e Dritan Lelit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje