Ne rrjet

Abazoviç: Ose unë, ose Gjukanoviç duhet të zhduket nga skena politike e Malit të Zi

Dritan Abazoviç thotë se faza në të cilën ka hyrë politika në Malin e Zi me votëbesimin e tij në parlament ka vetëm dy rrugëzgjidhje dhe që të dyja, sipas tij, do të përcaktojnë të ardhmen e vendit dhe përpjekjet për të ndërtuar një shtet ligjor, luftuar korrupsionin e krimin e organizuar.

Gjatë fjalimeve të shpeshta e të gjata të mbajtura në parlament, Abazoviç u akuzua se përmendi faktin se Milo Gjukanoviç mund të shpallet non grata nga partnerët perëndimore të Malit të Zi. Ai tha se nuk foli për ‘lista të zeza’, por për politikanë që duhet të dalin në pension.

“Ose Dritan Abazoviç, ose Milo Gjukanoviç do të zhduken nga skena politike e Malit të Zi”, deklaroi Abazoviç.

Kryeministri shqiptar i Malit të Zi tha se e dinte që përballë kishte një person shumë më të fuqishëm politikisht, financiarisht e mediatikisht, por këmbënguli se lufta që kishte nisur kundër tij (Gjukanoviç) duhej përmbyllur.

Abazoviç tha më herët se ndihet fare i relaksuar në lidhje me të. Ai tha se është i kënaqur me punën e qeverisë së tij, teksa disa prej vendimeve i cilësoi edhe si historike.

“Absolutisht po duan që të më rrëzojnë që jam shqiptar, por kjo s’është e vetmja çështje. Nuk bëhet fjalë vetëm për këtë gjë, por ata kanë menduar se unë do të jem kryeminsitër që do ta mbrojë krimin e organizuar që e kanë krijuar për 30 vjet dhe kur e kanë pa se nuk ka lojë më me këtë çështje dhe kur kanë filluar të hyjnë nëpër burgje dhe kur kanë filluar të nisen procese gjyqësore kundër njerëzve që bëjnë krim, atëherë kanë kërkuar shkakun dhe e kanë gjetur në këtë kontratë që është bërë me Kishën Ortodokse, por qartë se ajo s’është nga shkaku kryesor”, është shprehur Abazoviç për Klan Kosova.

Ai tha se politika në Mal të Zi ka mbetur në nacionalizmin e viteve të ’90-ta, ku sipas tij, njerëzit nuk kanë qejf të bëhen ndryshime, por të mbahet një status-quo, për të cilën tha se nuk është politikë e tij.

“Jam fare i relaksuar dhe gjithsesi do të shkojmë në zgjedhje, ose për 2 muaj ose për 5 muaj, por zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mal të Zi janë shumë afër”, u shpreh Abazoviç.

Kurse sa i përket mocionit që po mbështetet edhe nga disa deputetë shqiptarë në Mal të Zi, Abazoviç u përgjigj me “ç’ka me thënë, 30 vjet mosndryshimi i pushtetit lë pasoja”.

“Të arrijë Mali i Zi që ta ketë kryeministrin shqiptar dhe të vijë në atë moment kur dikush prej partive shqiptare të votojë kundër që një shqiptar të jetë kryeministër, ajo besoj se nuk ndodh askund tjetër. Unë do të dal si fitues, postet s’janë me rëndësi, me rëndësi është të kesh vizion”, tha Abazoviç.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë