Pas mbledhjes me presidentët e klubeve të Superiores dhe vendimit për rifillimin e kampionatit më 3 qershor, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka dhënë disa detaje për vazhdimin e garës dhe protokollin shëndetësor.
“Kemi bërë një mbledhje me drejtuesit e Superiores, i kemi informuar dhe kemi diskutuar për protokollin e rikthimit të stërvitjes dhe ndeshjeve, që mbetet për t’u konfirmuar nga specialistët përkatës. Bashkërisht vendosëm për datën e rifillimin e kampionatit, që është 3 qershori, për të përfunduar më 29 korrik. Finalja e Kupës së Shqipërisë luhet më 2 gusht. Disa mendonin se edhe mund ta mbyllej kampionati, por nu është vetëm penalizimi i UEFA-s, një problem i madh do të ishte edhe karriera e futbollistëve, sepse 6 muaj pa luajtur për një futbollist është shumë e dëmshme.
Është shumë më mirë të rikthehen të luajnë dhe të kapin tempin e lojës për ta vazhduar sezonin e ri në kushte normale. Protokollet nuk kanë ngarkesë ekonomike, thjesht duhet t’i respektosh. Kostoja e tyre nuk shkon më shumë se 2% e buxhetit të klubeve. Kultura e respektimit të rregullave në shoqërinë shqiptare nuk është shumë e mirë. Duket sikur ka kosto financiare, por nuk është kosto financiare që futbollistët të zhvishen në dhomë, apo të mos përdorin shishen e ujit të njëri-tjetrit.
Nuk janë shpenzime të jashtëzakonshme. Kosto reale është transporti, sepse stafi duhet të udhëtojë më vete dhe futbollistët më vete. Edhe akomodimi në transfertë është kosto, sepse futbollistët duhet të flenë në dhoma teke. Administrata e FSHF-së ka dërguar sot në ministri protokollin sipas kërkesave për rifillimin e stërvitjes dhe ndeshjeve zyrtare. Besoj se do të kemi një përgjigje pozitive brenda javës. Nëse rikthimi do ishte më i shpejtë, do të ishte më e përshtatshme. Koha nuk është mjaftueshme, por jemi në këto kushte dhe kemi gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme. Unë nuk kam frikë.
Është thënë që më 18 maj do të rikthehet stërvitja, por nuk mund të bëjmë ne ligjin. Nëse qeveria e ndryshon këtë, do të respektojmë vendimin e saj. Jemi në kushte të reja, nuk mund t’i paraprijmë se çfarë vendimi mund të marrë qeveria. Të gjithëve do t’u matet temperatura para stërvitjes dhe ndeshjes, do ketë tamponë”, – tha mes të tjerash presidenti Duka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje