Politike

Dy orë debat në Kuvend / Kosova, si ‘show mediatik’ i politikës në Tiranë

Nga Gazeta Si – Më 4 tetor mesditën e të mërkurës për herë të parë Konferenca e Kryetarëve vendosi që Kuvendi të hartoje një rezolutë të përbashkët për Kosovën, kur në tavolinë ishin dy të tilla; një nga grupi i Berishës dhe Bardhit apo ndryshe i ‘Rithemelimit’ dhe në anën tjetër grupi i PS-së.

Argumenti për ta çuar në këtë datë (12 tetor) dhe jo me herët në një kohe që Parlamenti Europian kishte miratuar një të tillë, (dhe në të afërt edhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës do ta bënte), sipas Gazment Bardhit, ishte se Edi Rama nuk do të ishte i pranishëm në Kuvend para asaj date.

Ndryshe nga sa u vendos, të enjten paradite palët e secilës force u pozicionuan në llogoret e tyre politike.

I pari ishte Lulzim Basha që as kish kuptuar çfarë vendosi Konferenca e Kryetarëve një ditë më parë. Duke i ndjerë i mënjanuar politikisht edhe për një çështje për të cilën ai ka folur zellshëm më shumë sesa për zhvillimet në PD, Basha akuzoi se PS-ja dhe Rithemelimi po bënin pakt në kurriz të PD-se me vendimin për një rezolutë të përbashkët, duke rrëzuar kërkesën e tij për interpelancë me Ramën për të njëjtën çështje.

Basha tha gjithashtu se në konferencën e kryetarëve nuk kishte pasur asnjë përfaqësues të PD-se dhe se Bardhi (i pranishëm) ishte në aleancë kullash me non gratën, Sali Berisha.

Pas më shumë se një orë ‘hatërmbejtje’ se si mund të rrëzohej interpelanca e kërkuar prej tij, Basha u ‘sqarua’ nga Bardhi (që ndodhej në krah të tij) kur tha se kërkesa e Bashës për interpelancë me Ramën për Kosovën nuk ishte rrëzuar, por se ishte bashkuar me mocionin me debat që kishte depozituar më herët vetë Bardhi.

Basha ra në ‘paqe’, mesazhet e veta i tha, por jo pjesa tjetër e PD-së e drejtuar nga Bardhi dhe Berisha. Edhe pse ishte rënë parimisht dakord të mërkurën, të vetëdijshëm që vendimi i konferencës së kryetarëve nuk mund të futej në rendin e ditës, deputetë të rreshtuar nga të gjitha palët në opozitë kërkuan që rezoluta të miratohej të enjten dhe se ajo duhet të kalonte pa ndryshime nga rezoluta e miratuar në Kosovë me argumentin se rezoluta e hartuar nga PS-ja kërkonte hetimin nga Serbia dhe jo nga Kosova. U ngrit e foli për këtë çështje edhe Petrit Vasili i PL që nuk kish pasur protagonizmin në Konferencën e Kryetarëve.

Taulant Balla ngatërroi detyrat (të ministrit me kryetarin e grupit) kur kërkoi të imponojë debatin se rezoluta duhej miratuar pa debat dhe se opozita po e bënte gjithë këtë diskutim për të sulmuar Ramën. Reagoi Bardhi duke thënë se gjetja e një konsensusi të përbashkët nuk tregonte këtë synim.

Jorida Tabaku në anën tjetër u shfaq e shqetësuar se si kolege të saj nga Kuvendi i Kosovës i shkruanin mbi atë që po ndodhte ne Tiranë.

Berisha gjithashtu u ngrit dy herë me zhurmë në podiumin e Kuvendit duke akuzuar mazhorancën se e kishte kthyer “parlamentin në një tempull albanofobie”.  Berisha dhe deputetë rreshtuar kah tij nuk kursyen as një deklaratë të dalë nga konteksti i Edi Ramës për FT se Kosova është tokë e askujt.

Më pas Elisa Spiropali i kujtoi Berishës kontrabandën e naftës me Serbinë në vitet 93-96, ndërsa Tabaku iu drejtua Spiropalit se fjalët e saj i merr era dhe se marrëdhëniet sot mes Shqipërisë dhe Kosovës janë në kuotën më të ulët. Debati me shumë zëra ku asnjëri nuk kishte qëndrim të njëjtë me tjetrin,  përfundoi pas dy orësh, me zgjidhjen që ishte dhënë një ditë më parë; Një rezolute për Kosovën, Kuvendi do ta miratonte vetëm me 12 tetor. Të tjerat pastaj shërbyen për konsum politik dhe show mediatik


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë