Politike

Dy përgjigjet që dha Gjykata Kushtetuese: Herësi mbetet në fuqi dhe 25 prilli nuk preket

Kur Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin e pazbardhur për të rrëzuar pjesërisht formulën e herësit në shpërndarjen e mandateve dy ishin pyetjet që u ngritën menjëherë. E para kishte të bënte me faktin nëse gjykata e kishte rrëzuar plotësisht herësin dhe e dyta nëse vendimi do të kishte efekt prapaveprues dhe prekte edhe zgjedhjet e 25 prilli.

Të dyja këto pyetje kanë marrë përgjigje me zbardhjen e vendimit ditën e martë. Sipas vendimit të arsyetuar, Gjykata Kushtetuese nuk ka rrëzuar konceptin e herësit në Kodin Zgjedhor, por numrin e 10 mijë votave të përcaktuara si prag minimal në përllogaritjen e tij.

Gjykata thotë se me këtë nivel, herësi cenon kriterin e proporcionalitetit dhe mbi të gjitha parimin e barazisë së votës, duke theksuar se në qarqet me numër të vogël zgjedhësish dhe mandatesh, që të thyente listën një kandidati i nevojiteshin më shumë vota se në një qark me numër të lartë votuesish e mandatesh.

“Në përcaktimin e herësit nuk duhet të vendosen kufizime në një masë më të madhe se sa është e nevojshme për të arritur objektivat, në respektim të së drejtës për të zgjedhur dhe parimit të barazisë së votës. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se parashikimi i herësit, lidhur me vlerën e tij numerike, i përcaktuar në pikën 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, si një ndër kriteret që ndikon në shpërndarjen e mandateve, cenon të drejtën për të zgjedhur, pasi nuk përmbush kriterin e proporcionalitetit”, thotë Kushtetuesja.

Por, sa është “masa e nevojshme”? Gjykata nuk jep shifra, ndërsa duket se sugjeron mes paragrafeve të vendimit të arsyetuar, që niveli i thyerjes së listës të mos jetë më i lartë se një e treta e nivelit aktual.

“Konstatohet se veçanërisht në qarqet me numër të vogël mandatesh, kandidatët e subjekteve zgjedhore kanë marrë deri në 3 herë vota më pak se vlera e përcaktuar e herësit, për atë zonë zgjedhore dhe atë subjekt zgjedhor, pra është një vlerë dukshëm më e ulët se vlera e herësit. Në këtë aspekt, Gjykata vlerëson se pika 3 e nenit 163 të Kodit Zgjedhor, në disa zona zgjedhore me numër të vogël zgjedhësish, ose me numër të ulët të mandateve, e shndërron votën parapëlqyese në të drejtë iluzore, pasi cenon thelbin e së drejtës për të zgjedhur”, thuhet në vendim.

Tërthorazi mund të thuhet se Kushtetuesja propozon që vlera e herësit të jetë diku mes 3 mijë dhe 3 e 500 votave.

Pyetja e dytë që Gjykata Kushtetuese i jep përgjigje është nëse efektet e këtij vendimi do të shtriheshin pas në kohë duke prekur edhe zgjedhjet e 25 prillit. Vendimit nuk i jepet efekt prapaveprues, që do të thotë se herësi duhet të ndryshojë duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme. Nëse efektet do të shtriheshin pas në kohë, atëherë, sipas rezultateve të 25 prillit ky vendim do të shkundte listat e kandidatëve për deputetë në të gjitha qarqet e vendit.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është marrë 6 me 1. Gjyqtari Altin Binaj ka ndarë një tjetër mendim nga shumica. Ai thotë se padia e dorëzuar nga Bindja Demokratike dhe Lëvizja Demokratike Shqiptare duhej rrëzuar. Binaj mendon se parimi i proporcionalitetit nuk cenohet dhe se edhe në qarqet me numër të vogël mandatesh e votuesish ekziston mundësia reale që herësi prej 10 mijë votash të thyhet.

Ai thotë se në lidhje me parimin e barazisë së votës, ky parim duhet parë në një këndvështrim më të gjerë dhe duhet vënë në peshore me interesin tjetër, që ka të bëjë me herësin si mekanizëm korrigjues i votës preferenciale në zgjedhje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë