Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar nenin 162 të Kodit Zgjedhor, që me ndryshimet e marrëveshjes së 5 qershorit të vitit të kaluar përcaktonte pragun elektoral kombëtar prej 1 për qind për kandidatët e pavarur në zgjedhje.
Kushtetuesja u vu në lëvizje përmes një padie të ngritur nga Elton Debreshi, kandidat i pavarur në zgjedhjet e 25 prillit për Qarkun e Dibrës, i mbështetur nga Nisma Thurje.
Kandidati i pavarur, Elton Debreshi theksonte se pragu është është diskriminues për kandidatët e pavarur, pasi iu kërkohet më shumë vota sesa partive politike.
“Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se pjesa e fjalisë së dytë, të pikës 1, të nenit 162 të Kodit Zgjedhor, që vendos për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit kufizim të njëjtë me atë të kandidatëve të propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike cenon të drejtën kushtetuese për t’u zgjedhur, në lidhje me parimin e barazisë në ligj dhe ndalimit të diskriminimit”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.
Ky është rrëzimi i dytë që Gjykata Kushtetuese u bën neneve të Kodit Zgjedhor, të miratuar pas marrëveshjes së 5 qershorit 2020. Rrëzimi i parë ishte ai i herësit. Gjykata në atë vendim nuk rrëzoi herësin si koncept në vetvete, por tha se pragu prej 10 mijë votash për thyerjen e listave ishte shumë i lartë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje