Pas 25 prillit janë 5 deputetë të zgjedhur që njoftuan dorëheqjet. Me përjashtim të Tom Doshit, që njoftoi dorëzimin e mandatit të fituar para se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të certifikonte rezultatin përfundimtar, katër dorëheqje mbeten për t’u zëvendësuar.
Gramoz Ruçi, Najada Çomo, Lefter Koka dhe Mark Marku janë të zgjedhurit që kanë njoftuar publikisht tërheqjen nga mandati.
Emrat që do t’i zëvendësojnë dihen tashmë dhe ata janë pjesë e listave të kandidatëve për deputetë të PS dhe PD në zgjedhjet e 25 prillit. Gramoz Ruçin në Fier do ta zëvendësoë Mirela Petushi. Në rastin e Najada Çomos, në karrigen e lënë bosh prej saj në Kuvend do të ulet Mimi Kodheli. Lefter Kokën do ta zëvendësojë Denis Deliu, i renditur 9-ti në listën e Durrësit dhe Mark Marku do të zëvendësohet nga Elda Hoti për Lezhën.
Duke qenë se të katër deputetët e dorëhequr janë pjesë e listës fituese përfundimtare të KQZ-së, përkatësisht Gramoz Ruçi në Fier, Najada Çomo në Tiranë, Mark Marku në Lezhë dhe Lefter Koka në Durrës, procedura për zëvendësimin e tyre do të fillojë pas konstituimit të parlamentit të ri.
Rrugët që mund të ndiqen janë dy. E para, që katër të dorëhequrit publikisht të refuzojnë betimin, që është akti solemn i marrjes së mandatit dhe rruga e dytë është që pas betimit të dorëzojnë zyrtarisht dorëheqjen nga mandati në KQZ.
Fill pas kësaj, dorëheqja konfirmohet edhe nga kryetari i ri i Kuvendit, që PS ka caktuar Lindita Nikollën, që duhet t’i dorëzojë KQZ-së listën me katër emrat e dorëhequr, të paktën deri më tani, ndërsa ka disa zëra se kësaj liste do t’i shtohen edhe emra të tjerë.
Kjo mund të jetë njëra prej arsyeve se përse legjislatura e 9 e Kuvendit do të nisë me dy seanca. Seanca e parë do të zhvillohet paradite në orën 10:00 për betimin e deputetëve, ndërsa seanca e dytë në pasdite në orën 17:00 për zgjedhjen e Lindita Nikollës si kryetare.
Sipas rregullores së Kuvendit, seanca e parë drejtohet nga deputeti më i vjetër, në këtë rast nga Luljeta Bozo. Në rast mungese, ose refuzimi drejtimi i caktohet deputetit të dytë më të vjetër, që është Sali Berisha.
Ndërkohë, tre deputetët më të rinj në moshë ngarkohen me detyrën e përkohshme për kryerjen e detyrës së Sekretarisë së Kuvendit deri në zgjedhjen e Byrosë së tij.
Hapi tjetër është ngritja e një komisioni të përkohshëm për verifikimin e mandateve, që përbëhet nga 9 deputetë dhe që rregullorja thotë se në përbërje duhet të reflektojë për aq sa është e mundur balancat e mazhorancë-opozitë. Sipas këtij parashikimi, ky Komision mund të ngrihet me 5 anëtarë nga PS dhe 4 nga PD e LSI.
Komisioni shqyrton dokumentacionin e zgjedhjeve dhe i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit. Pas këti hapi, bëhet zgjedhja e kryetarit të ri. Kryetari i Kuvendit zgjidhet pa debat dhe me votim të fshehtë, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka fituar shumicën e kërkuar, vijohet me një raund të dytë, ku votohet për dy kandidaturat që kanë marrë më shumë vota. Pas përfundimit të procesit dhe pasi ka një fitues drejtuesi i seancës fton menjëherë Kryetarin e Kuvendit të zërë vendin e tij.
Përfundimi i gjithë këtyre procedurave pason miratimin e Qeverisë së re. Edi Rama, emri i të cilit ka mbërritur në Presidencë si i mandatuar për Kryeministër nga PS, ka më pas 10 ditë kohë që të paraqesë para Kuvendit për miratim përbërjen dhe programin e Qeverisë së re dhe më pas t’i drejtohet Presidencës për betim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje