Përvjetori i 23-të i vrasjes së Azem Hajdarit është përkujtuar edhe nga Presidenti Ilir Meta, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Nderim, respekt dhe mirënjohje ndaj veprës së përjetshme të Azem Hajdarit, udhëheqësit të ‘Lëvizjes Studentore’, që solli pluralizmin politik dhe demokracinë. Energjia dhe guximi i Tij duhet të frymëzojnë përpjekjet tona për një Shqipëri si gjithë Europa!”, shkruan ai.
Kjo nuk është hera e parë që Presidenti Ilir Meta i referohet figurës së Azem Hajdarit. Në 8 Dhjetor të 2020, në Ditën e Rinisë, ai postonte një foto të udhëheqësit të Lëvizes Studentore ’90 me thirrjen drejtuar të rinjve për protesta.
“Sot përulemi me mirënjohje të veçantë ndaj Lidershipit Heroik të Azem Hajdarit dhe atyre djemve e vajzave, të cilët u përplasën të parët me Dhunën e regjimit, duke frymëzuar një popull të tërë për kryengritje paqësore. Nderojmë shpërthimin e vullkanit të guximit marramendës rinor për të përmbysur regjimin më të ashpër izolues dhe shtypës në kontinent, por ndihemi dhe po aq borxhlinj që në tre dekada nuk kemi bërë aq sa duhet për të qenë aty ku e meritonin sakrificat e tyre”, shkruante ai.
Postimi mbërrinte në kulm të përplasjes së tij me Partinë Socialiste dhe në të bënte thirrje për “rifillim”.
“Koha për restart, për rivendosjen e demokracisë dhe llogaridhënies. Për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa! Unë besoj shumë në shpirtin energjik të të rinjve të Shqipërisë dhe në fuqinë e aftësive të tyre për ta transformuar dhe përmirësuar cilësisht të ardhmen e popullit tonë. Për të guxuar! Për t’u bashkuar! Që Rinia të marrë në dorë fatet e saj dhe të mbarë vendit! Nëse jo Rinia, kush tjetër? Nëse jo sot, kur? Do t’ia dalim me sukses, sepse nuk kemi rrugë tjetër”, deklaronte ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje