Rudina Hajdari kthehet pas në kohë dhe kujton babain e saj me anë të një fotoje teksa shfaqet në krahët e tij si fëmijë. Foton e shoqëron me një shënim të gjatë, ku akuzon majtas e djathtas se idealet e Azem Hajdarit janë tradhtuar.
“Azemi ishte luftarak, idealist, guximtar dhe ëndërrimtar. Veti këto të cilat nuk i kemi parë më në skenën politike shqiptare. Ëndrra e tij ishte një Shqipëri e lirë dhe demokratike, ku njerëzit e ndërtojnë jetën e tyre me besim e pa frikë për të ardhmen e fëmijëve. Fatkeqësisht kjo ëndërr ende nuk është bërë realitet”, shkruan ish-deputetja e PD.
Arsyet se përse kjo ëndërr, sipas saj, nuk është bërë realitet i rendit mes rreshtave pasues. Fajëson “ata që e zvarritën vendin në rrugëtimin e tranzicionit pafund politik, me qëllim i sabotuan institucionet dhe mekanizmat demokratikë me synimin për ta vendosur shtetin në shërbim të interesave të tyre personale e familjare”.
“Kështu për 30 vite, shteti, buxheti, pasuritë natyrore etj, nuk i shërbyen mirëqënies së përgjithshme, por interesave të vetëm një grupimi i cili është pasuruar përtej çdo imagjinate, teksa shqiptarët, ose janë varfëruar, ose kanë emigruar, ose ëndërrojnë të emigrojnë teksa ndiejnë se s’kanë të ardhme në këtë vend”, shkruan ajo.
Në këtë përvjetor, shënjestron edhe Sali Berishën në krah të të cilit ka përkujtuar vitet e kaluara vrasjen e Azem Hajdarit. Vendimin e SHBA për shpalljen non grata të tij e quan ndërhyrje të SHBA për të korrigjuar shoqërinë shqiptare.

“Shoqëria e ka të pamundur sot të vetëkorrigjohet dhe u duhet patjetër ndihma e aleatëve si SHBA të cilëve u duhet të përdorin peshën e rëndë të reputacionit dhe mekanizmat e tyre penalizuese në betejën për të ndërtuar një shtet të vërtetë shqiptar. Nëse partitë politike do të ishin ndërtuar me parimin demokratik dhe do të funksiononin si të tilla, debati në Shqipëri do të ishte shumë i shëndetshëm. Sot nuk do të flisnim për individë, por për çështje. Nuk do të diskutonim për fatin e familjeve politike që kanë grabitur vendin për 30 vite por për fatin e familjeve të thjeshta shqiptare”, shkruan ajo.
Si shembull, Rudina Hajdari sjell kalimin në heshtje, sipas saj, të rritjes së çmimit të bukës.
“Sot në vend që të debatonim për nivelin e ushqimit që do i privohet një familjeje politike për shkak të një vendimi që SHBA ka marrë, debati duhet të shkonte drejt dëmit që i është bërë qindra mijëra familjeve në nevojë nga rritja e papritur dhe arbitrare e çmimit të bukës”, deklaron ish-deputetja.
30 vite, thotë Hajdari, i kemi shpenzuar duke mos debatuar për vendin, për fëmijët, për rininë, për familjet shqiptare, por vetëm e vetëm për fatin e 3-4 familjeve politike, të cilat ia kanë dalë të ngrenë një sistem të mbyllur, i cili nuk ka shumë diferencë nga sistemi monist për nga mënyra se si funksionin.
Daljen nga kjo situatë, Rudina Hajdari, që në zgjedhjet e 25 prillit nuk ja doli mbanë që të zgjidhej deputete nën siglën e Nismës Thurje e sheh vetëm në në rast.
“Kur shumica e shqiptarëve të kuptojnë se mirëqenia dhe zhvillimi nuk vijnë nga lideri i fortë, por nga sistemi i drejtë dhe institucionet e forta, të cilat garantojnë demokracinë, lirinë dhe barazinë. Kur të fillojnë të mos mbështesin më parti e individë, sepse prej tyre varet ushqimi i ditës, por të mbështesin vizionin për ndërtimin e një sistemi i cili t’u garantojë mirëqenie”, shkruan ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje