Bota

Finlanda do të anëtarësohet në NATO brenda kësaj vere

Finlanda po përgatit terrenin për të ndërmarrë një vendim historik brenda kësaj vere nëse do t’i bashkohet apo jo aleancës së NATO-s, pas agresionit rus në Ukrainë.

Vendi nordik me 5.5 mln banorë ka qëndruar tradicionalisht neutral dhe i parreshtuar në asnjë aleancë ushtarake, pjsërisht për të mos provokuar Rusinë fqinje, me të cilën ndaj një vijë kufitare prej 1300 kilometrash.

Por, pushtimi rus i Ukrainës rriti mbështetjen e qytetarëve pro anëtarësimit në NATO. Para 24 shkurtit, kur Rusia njoftoi këtë pushim, 30 për qind e finlandezëve ishin pro anëtarësimit, ndërsa një seri sondazhesh të fundit sugjerojnë se kjo shifër ka shkuar në 60 për qind.

“Mos e nënvlerësoni kurrë aftësinë e finlandezëve për të marrë vendime të shpejta kur bota ndryshon”, tha për AFP, ish-kryeministri finlandez, Alexander Stubb.

Ai vetë është një avokat i anëtarësimit në aleancë dhe tashmë beson se dorëzimi formal i aplikimit për t’iu bashkuar kësaj aleance është thjeshtë çështje kohe, teksa finlandezët po rivlerësojnë marrëdhënien me Rusinë.

Javën e ardhshme, një raport i komisionit për sigurinë kombëtare do të dorëzohet në parlamentin vendas për të ndihmuar deputetët që të qartësojnë më mirë pse duhet anëtarësimi në aleancë, para se të votojnë pro, apo kundër propozimit.

“Do të kemi një proces vendimmarrës të kujdesshëm, por që nuk do të zgjasë shumë. Mendoj se në mes të verës do ta përmbyllim këtë diskutim”, tha kryeministrja finlandeze, Sanna Marin.

“Besoj se aplikimi për anëtarësim do të dorëzohet në maj, në kohë për t’u marrë në diskutim gjaatë samitit të NATO-s në Madrid”, thotë ish-kryeministri Stubb.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë