Bota

Foto/ Masakra në Los Anxheles, autori vetëvritet në një furgon pas arratisë

Gazeta Si – Festa në një klub nate në Monterey Park, Los Angeles, ku po festohej Viti i Ri Kinez, u mbyll në një tragjedi.

Dhjetë persona në të 50-at dhe 60-at kanë vdekur, pasi një aziatik 72-vjeçar, Huu Can Tran, hapi zjarr me një pushkë sulmuese.

Viktimat janë pesë burra dhe 5 gra. Dhjetë persona të tjerë u plagosën. Më pas vrasësi u largua dhe, i ndjekur nga policia, u vetëvra në një furgon.

Ende nuk ka informacione për motivin. Për Guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Neësom, ishte një akt i tmerrshëm dhe i pamëshirshëm i dhunës me armë.

Masakra e Monterey Park është më vdekjeprurësja në Shtetet e Bashkuara që nga tragjedia në një shkollë fillore në Uvalde, Teksas, majin e vitit të kaluar.

Tmerri në qytetin 13 kilometra larg Los Anxhelosit, ku shumica e popullsisë është me origjinë aziatike, filloi pak pas orës 22:00 të së shtunës në mbrëmje.

Rrugët, të dekoruara në mënyrë festive për të pritur ardhjen e Vitit të Lepurit, ishin të mbushura me dhjetëra mijëra njerëz.

Burri hyri në “Star Ballroom Dance Studio” i armatosur me një “pushkë të fuqishme sulmi”, sipas disa burimeve policore dhe qëlloi pesë burra dhe pesë gra në pistën e vallëzimit.

Dhjetë persona të tjerë u plagosën dhe janë dërguar në spital. Agjentët që mbërritën thanë se panë njerëz të tmerruar që iknin nga klubi duke bërtitur.

Kur ndjekja kishte nisur, Policia e Qarkut të Los Anxhelosit publikoi fotot e vrasësit të supozuar. Nga pamjet shihet një burrë me syze dhe kapuç.

Rreth njëzet minuta pas masakrës, sulmuesi u zhvendos vetëm tre kilometra nga vendi, në Alhambra dhe hyri në një restorant tjetër kinez me një armë të ndryshme nga ajo e përdorur në Monterey, ndoshta një pistoletë, por ajo ishte e dëmtuar dhe u çarmatos nga klientët përpara se të ndodhte më e keqja.

Burri më pas iku me një furgon të bardhë dhe udhëtoi 50 kilometra përpara se të ndalohej nga ekipet speciale të policisë, Sëat, me të paktën dy automjete të blinduara në Torrance.

Oficerët i kërkuan të dorëzohej dhe më pas dëgjuan një të shtënë. Pas rreth një ore ata thyen xhamat e furgonit dhe gjetën trupin e pajetë të vrasësit të shtrirë në timon.

Vetëvrasja e autorit, e bën më të vështirë për hetuesit gjetjen e motivit të masakrës. “Të gjitha provat janë të hapura”, tha sherifi i kontesë së Los Anxhelosit, Robert Luna, i cili nuk e përjashtoi hipotezën e “krimi të urrejtjes” edhe pse origjina e vrasësit mund të sugjeronte një arsye tjetër.

Në vitet e fundit, komuniteti aziatik në Shtetet e Bashkuara ka qenë viktimë e disa episodeve të dhunës, më e keqja prej të cilave më 16 mars 2021, kur tetë persona, përfshirë gjashtë gra, u vranë në tre qendra të ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë