Politike

Foto dhe video / Berisha, Ramës: Ne të dy jemi armiq, kur të themi mbathja, duhet t’ja mbathësh! (Në protestë Kryemadhi e deputetë kritikë)

“Edi Rama, ne të dy jemi armiq. Ti do vetëm pushtetin kurse unë me këta bura, gra, djem e vajza kemi parim lirinë dhe vetëm lirinë!”.

Me këtë fryme ka qënë fjalimi 145 minutash i kryetarit të PD-së, Sali Berisha, në protestën e parë të organizuar nën drejtimin e tij qysh prej rikthimit në parti.

Sali Berisha ne fund te fjales se mbajtur para kryeministrise

Në një protestë me pjesëmarrje të konsiderueshme, Berisha mbajti një fjalim të ashpër duke shigjetuar vetëm një emër; kryeministrin Edi Rama.

“Keni ardhur nga mijëra kilometra larg, nga SHBA, Europa, për t’u bashkuar me frontin e shpëtimit të Shqipërisë. Zoti ju bekoftë. Mirënjohje për djemtë dhe vajzat, gratë e burrat që lanë gjithçka dhe u bashkuan në protestë, duke u bërë burim drite, dielli, shprese për mbarë shqiptarët.

Sonte më shumë se kurrë, mendjet, zemrat e sytë e mbarë shqiptarëve janë drejtuar tek ju. Erdhën nga të katër anët në bulevard sepse ju thirri ora e lirisë, ju thirri ora e Shqipërisë.

Pushtimi ju ngriti në këmbë, për të shpëtuar vendin. ka vendosur monizmin plotë, ai ia mbathi, koha e tij është e numëruar.

Edi Rama, ne të dy jemi armiq, është e rëndë ta them këtë por zemra ime fjalë tjetër nuk nxjerr. Ti do vetëm pushtetin kurse unë me këta bura, gra, djem e vajza kemi parim lirinë dhe vetëm lirinë.

Ne jemi armiq Edi Rama sepse ti pushtetin e do për të pasuruar veten duke varfëruar e poshtëruar qytetarët ndërsa unë dhe këta protestues këtu, lirinë e duan për të bërë të lirë shqiptarët, për t’iu kthyer atyre dinjitetin”, tha Berisha. Para flamurit kombëtar, Berisha nënvizoi:

“Edi Rama, jemi sot këtu për t’u betuar para flamurit të kombit, se votën kurrë nuk ta falim, pushtetin mbi votën e vjedhur kurrë nuk ta njohim. Harroje. mos luaj me votën sepse jemi të vendosur të mos pranojmë kurrë. Jemi vendosur të bëjmë çdo sakrificë që burrat dhe gratë, djemtë e vajzat e Shqipërisë të votojnë me dinjitet dhe të vbotojnë të lirë. Edi Rama, ti këto kohë, këto vite, je treguar armik i fjalës së lirë. Je treguar armik i egër i fjalës së lirë. Ti ke përdorur metodat e frikës dhe terrorit për të zhytur shqiptarët në heshtje dhe mbyllur gojën e tyre. Ti ke përdorur tendera për të blerë mediat e vendit. Vërsulesh dhe shan me gjuhë ordineri gazetarët vetëm se ata bëjnë detyrën e tyre. Jam këtu për të garantuar shqiptarët se fjala e lirë do të jetë motoja jonë, beteja jonë dhe ata që guxojnë të prekin fjalin do të mjerohen”.

Berisha kërkoi largimin e Edi Ramës.

“Edi Rama, nga ky shesh, në emër të qytetarëve shqiptarë të bëj thirrje, boll vodhe, ik. Shqipëria është në rrezik sepse në rrezik është e ardhmja e saj. Një komb që lind dhe rrit fëmijë për emigracion, është një komb pa rini, po të ardhme. Edi Rama në 5 vite largoi 540 mijë të rinj dhe shqiptarë nga Shqipëria. As Çubrilloviçi nuk do kishte ndjekur një politikë tjetër ndaj shqiptarëve. Edi Rama ka një urrejtje gjenetike ndaj shqiptarëve, sepse i përket atij soji që vriste, ekzekutonte, burgoste, qytetarët shqiptarë dhe që e dinte që ata të shtypur i urrenin për vdekje bllokmenët hoxhistë. Për të gjitha këto qëndrime, ne do t’i presim atij biletën dhe ky është vetëm fillimi i marshit tonë të lirisë”

Duken iu referuar largimit të Ramës në Vlore në një tjetër aktivitet, Berisha iu drejtua kryeministrit.  

“Ti ja ke mbathur, gabim ke bërë, ne nuk veprojmë në pabesi, kur të themi mbathja do t’ja mbathësh, së dyti, mos harro i mjerë se me forcën e idealeve tona të lirisë ne thërrmojmë cdo bunker, shpojmë cdo blind, asgjë s’na ndal ne në përpjekjet për liri”, tha Berisha.

“Nuk do doja kurrë nga kjo platformë të flisja për hajdutë dhe vjedhës, mirëpo, më thuaj pak zotërote, çfarë të të them kur sarajet e Surrelit, pallatin në pajë i ke ndërtuar kur kishe të deklaruara 4 mijë euro, nga të ranë ato para? Nga qielli? Njëherë para emigracioni, e njëherë the para nga familja, Edi Rama çdo qindarkë e tyre është hajni.

Ndërtuesi i tyre para një muaji fitoi tenderin i vetëm në garë me 99.9 për qind të vlerës, 11 mln euro por këto zotërote janë vetëm kafetë, sepse ti me firmat e tua nuk i ke gjë 10-shet.

Edi Rama me firmat që ke vendosur për djegësat që shkojnë në 420 mln euro, me Agaçin e Ahmetajn, Veliajn e Kokën përvetësuat deri tani 120 mln euro.

Këto ditë doli se nga 60 mln euro të dhëna për djegësin e Tiranës, s’është ndërtuar asgjë. Paratë janë fshehur në konto pensionistësh që nuk dinë asgjë se ekzistonin ato.

Skandali i djegësave është më i madh, por po kaq të mëdha janë paratë e transferuara nga ndërtimi, të vjedhura nga ndërtimi i rrugëve.

I thuaj shqiptarëve si ka mundësi, 7 km në autostradën Ibë-Farkë kanë kushtuar sa 10 km tuneli i Krrabës dhe 20 km autostradë Krrabë-Elbasan. 30 mln euro kilometri, dyfish i kilometrit në tunel. Ku i çuat paratë? Si i vodhët ato? Janë të pafundme rastet”.

“Këtë javë shpresojmë që BE të vendosë hapjen e negociatave. Dhe u bëj thirrje nga kjo tribunë, të hapin negociatat me Shqipërinë, të mos shkojnë shqiptarët për Edi Ramën, i cili do çdo gjë, por jo negociatat, sepse ato do ta nxjerrin atë lakuriq siç është, demoni i pushtetit, kryehajduti i Europës” vijoi ai. Por jo vetëm.

“Kur kryetari i qeverisë së vendit tënd bëhet tellall i Beogradit, kur ai fut sherre te fqinjët me gjuhën dhe fjalorin e tij, kur ai shndërrohet në një vasal të serbomadhit VUçiç, kur ai rrethon Kosovën me tensione e konflikte, kur ai nuk ka interesa shqiptare por të parat ka interesat e Beogradit, atëherë nuk mund të rrimë pa i thënë: Edi Rama, populli opozitar, shqiptarë, patriotë kudo që janë, do t’i thonë ‘Jo’ Ballkanit të Hapur, ‘Jo’ Ballkanit të Beogradit, ‘Jo’ Ballkanit të Putinit. Do t’i thonë ‘Po’, Procesit të Berlinit, Ballkanit të Brukselit, rrugës tonë drejt Europës”

Protesta

Fiks ne orën 19.00 aq sa ishte parashikuar të fillojë protesta, Sali Berisha nuk mundi të drejtoje demokratët drejt sheshit “Skenderbej”.

Ai mbërriti 15 minuta para orës zyrtare të protestës në seli për të dalë prej aty rreth ores 19.25. Zyrtarisht, protesta filloi 40 minuta me vonese me kengen e Renis Gjokes “Zgjohu shqiptar, shiko” dhe nen valevitjet e famujve shqiptare, por edhe atij amerikan.

Më herët para se te fillonte protesta ishin militantë të PD-se që u futën në seli për të pritur daljen e Berishes me thirrjet “Edi Rama ka mbaru” dhe ovacionet “Berisha Berisha”

Ai ka mbledhur demokratët, përfaqësues të shoqërisë civile, në një tubim të pare te thirrur nga vetë ai, që pas rizgjedhjes në krye të PD-së.

Gjysëm ore para protestës njerëzit nuk kane qënë të shumtë në numër dhe afrimi drejt kryeministrisë ka ardhur nga disa akse kryesore në Tiranë, duke filluar nga seliae PD-së.

Demokratët protestojnë të enjten për 49 arsye që ata kanë radhitur edhe në broshurat e shpërndara me kërkesa kryesisht populiste, ku spikat kundërshtimi i nismës së Ballkanit të Hapur.

Motoja kryesore e protestës është “Shqipëria në rrezik” me qëllim largimin e kryeministrit Edi Rama. Demokratët kanë improvizuar një skenë anash kryeministrisë dhe jo përballë saj, një shenjë kjo për të treguar se sot për militantet dhe vete Berishën nuk do të jetë synim dera e kryeministrisë.

Më herët, Berisha është shprehur se protestat nuk do të ndalen deri sa Rama të dorëhiqet.

Pavarësisht ndasive, në selinë e PD-së janë parë edhe deputetë demokrate që nuk e mbështesin Sali Berishën si Bledion Nallbati, apo Ervin Salianji e Rudina Hajdari, Dhurata Cupi e Grida Duma, .Saimir Korreshi, Fatjon Veizaj,  Jorida Tabaku, Alfred Rushaj, Xhelal Mziu, Dashnor Sula, Kastriot Piroli dhe Lefter Gështenja

Në protestë nuk do të jetë deputeti Enkelejd Alibeaj. Por do të jenë të pranishëm deputetë të LSI-së. Monika Kryemadhi ishte shoqeruar nga Liri Berisha dhe deputeti Petrit Vasili. .

Ndërkohe rreth kryeministrisë janë parë forca të shumta policie.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë