Ajo që presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, kishte thënë ditë më parë, ka marrë formë zyrtare: kampionatet kombëtare europiane duhet të jenë mbyllur deri më 3 gusht. Vendimi është marrë sot, pas një videokonference të zhvilluar në Nion të Zvicrës, ku janë konfirmuar udhëzimet për federatat sa i takon mbylljes së sezonit 2019/20.
Nuk mund të kalohet data 3 gusht, kështu që kampionatet kombëtare duhet të mbyllen me çdo lloj formule. Federatat europiane, 55 në total, kanë kohë deri më 27 mars që të prezantojnë planin e përfundimit të kampionatit përkatës.
Objektivi i UEFA-s është që të gjendet një mënyrë që të gjitha federatat të arrijnë t’i zhvillojnë të gjitha ndeshjet e kalendarit. UEFA është e predispozuar të aprovojë formula të reduktuara për mbylljen e kampionateve, siç janë “play-off”-et, ndeshjet shtesë apo dhe mini-turnetë.
Nëse kjo nuk mjafton, apo nëse gjendja shëndetësore nuk është e garantuar për sportistët dhe stafet, do të diskutohet për mbylljen e parakohshme të kampionateve, siç ka ndodhur në Belgjikë, Skoci dhe siç mund të ndodhë edhe në Holandë. Në rast se nuk mbyllen kampionatet, federatat duhet të dërgojnë listën e skuadrave të kualifikuara për sezonin e ardhshëm në Kupat e Europës në bazë të meritave sportive të sezonit aktual. UEFA në këtë rast do të vëzhgojë me kujdes nëse janë aplikuar kriteret e meritave sportive në mënyrë transparente apo jo. Nëse ku skenar aplikohet në Shqipëri, digjet Partizani, jashtë katërshes së parë dhe jashtë Kupës.
Kështu, Federata Shqiptare e Futbollit, brenda datës 27 maj, duhet të ketë vendosur për formulën e mbylljes së sezonit, që do të thotë zhvillimi i të gjitha ndeshjeve të mbetura sipas kalendarit, formulë me sistem grumbullimi dhe e fundit, mbyllje e parakohshme e kampionatit, nëse nuk e lejojnë kushtet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje