Në pritje të vendimit të qeverisë për lirimin e masave të ndërmarra për emergjencën nga koronavirusi, Federata Shqiptare e Futbollit ka si plan paraprak rifillimin e kampionatit në fund të muajit maj. Shefi i sektorit të garave në Federatë, Lysien Nurishmi, mjaft optimist, ka pohuar së fundi se ndeshjet mund të rinisin në datat 20-24 maj.
“Synimi është që futbolli të nisë të luhet në fund të majit dhe të mbyllet në fund të korrikut. Ne jemi gati për çdo situatë, por presim vendimin e instancave qeveritare për situatën. UEFA gjithmonë na ka udhëzuar që verdiktet e sezonit të përcaktohen në fushë, kampionatet të mbyllen në fushë, por ende nuk ka një vendim final mbi këtë çështje. Nëse autoritetet shëndetësore japin miratimin, ekipet, me sa di, janë gati të fillojnë stërvitjen”, – është shprehur Nurishmi për mediet.

Parashikimet e FSHF-së janë që skuadrat në vendin tonë të fillojnë stërvitjen në fillim të majit dhe më pas të kenë 2-3 javë kohë për t’u përgatitur. Situata në fakt është mjaft e vështirë, duke pasur parasysh edhe kushtet e klubeve në Shqipëri, ku ka mangësi të theksuara në infrastrukturë. Në Pezë-Helmës, për shembull, nuk mund të stërviten më 5 ekipe me turne, siç ka ndodhur më parë, sepse do të ishte shumë e rrezikshme.
Çështje më vete janë ato të tamponave dhe e lojtarëve të huaj, që në skuadrat tona janë të shumtë. Me rikthimin në Shqipëri, ata duhet të vetkarantinohen për dy javë, sipas rregullave, kështu që i bie të humbin gjithë kohën e përgatitjeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje