Bujar Nishani, Arben Imami, Edith Harxhi, Arben Ristani, Edvin Kulluri, Ibsen Elezi, Endira Bushati, Bislim Ahmetaj dhe Indrit Hoxha të vetshpallur si “Grupi për PD” kërkuan përmes një deklaratë të përbashkët për mediat dorëheqjen e parevokueshme të Lulzim Bashës si rezultat i humbjes së PD në zgjedhjet e 25 Prillit.
Në grupimin ku mungonte Fatbardh Kadilli kandidati i vetshpallur për postin e kryetarit, u hodhën katër propozime që në thelb synojnë reformimin e PD.
1-Modelin hapjes dhe bashkimit të forcave brenda dhe jashtë vendit të atyre që janë larguar nga PD apo që duan të vijnë në PD
2-Kthimin në program të qartë të të djathtës konservatore moderne
3-Ndryshimet statuore duke përfshirë zgjedhjen e kryetarit.
4-Debatit të lirë dhe sistemin e primareve me programe të qarta politike për çdo kandidat çdo demokrat brenda dhe jashtë vendit.
Kjo PD mund ta nxjerrë vendin nga kriza politike, vetëm kjo parti mund të përfaqësojë vendin dhe vetëm kjo PD mund të fitojë. Në si grup për PD jemi një grup i hapur, bëjmë thirrje për reflektim dhe ftojmë të mblidhen rreth vlerave idealeve të PD”, citoi Edith Harxhi.
Në deklaratën e përbashkët renditen edhe gabimet sipas tyre të Lulzim Bashës.
“Ne jemi të vetëdijshëm që shitblerja e votës, përdorimi i administratës, përdorimi i të dhënave personale, ishin vetëm një pjesë e elementëve që përcaktuan rezultatin zgjedhor, por ne jemi po ashtu të vetëdijshëm që PD nuk arriti që të mundësonte mbështetje më të madhe.
PD ka pasur rezultat të njëjtë me 4 vite më parë, PD nuk po garonte për vend të dytë, pjesëmarrja me 46% në zgjedhje është tregues domethënës që PD nuk frymëzoi, dhe as nuk siguroi mbështetje për fitore.
Ne jemi të vetëdijshëm që përgjegjësia e zgjedhjeve i takon drejtuesve të Partisë. Ata duhet të marrin përgjegjësi për humbjen, pasi kanë shembullin e zotit Berisha. Dorëheqja e parevokueshme e Lulzim Bashës nga partia nuk është fundi i PD-së por fillimi i ringritjes së saj. Mospjesëmarrja në Reformën territoriale, në zgjedhjet lokale, dalja nga parlamenti, ishin gabime të PD-së. Marrëveshja e majit, me gjithë pasojat e saj, dëmtoi në mënyrë të pakthyeshme PD-në dhe aleatët, brenda partisë kryetari nuk mbajti përgjegjësi për humbjen e 2017. Në 2019 u përjashtuan nga Kuvendi të gjithë ata që kishin kundërshtuar vendimmarrjen, sërish lista ishte ajo e kryetarit. Kryetari nuk kishte mësuar asgjë nga humbja e 2017-tës”
Ajo që u vu re në fakt krahas dorëheqjes së parevokueshme të Bashës ishte edhe këmbëngulja e tyre se nuk duhet të ketë bashkëqeverisje PD-PS.
“Nëse ka një tentativë të tillë është një tentativë që do realizonte mesa duket atë që është droja më e madhe e opinionit publik, që ka ekzistuar dhe brenda PD, synimi për ta kthyer PD në një aneks të projektit të Ramës, të atyre që kanë kryer masakra elektorale, e ky do ishte asgjësimi përfundimtar i PD.
Edhe nëse ndodh kjo tradhti e madhe, tentativë për ta asgjësuar PD, për ta kthyer aneks të padobishëm për qytetarët, por për asgjësimin përfundimtar të alternativës qeverisëse ne Shqipëri, atëherë demokracia reale nuk ekziston.
Nëse kjo do ekzistojë, do ishte thika pas shpine më e helmatisur që mund ti jepej PD”, tha Bujar Nishani, kryetari i Këshillit Kombëtar të PD.
Ndërsa Arben Imami ka shkuar më tej: “Kemi informacion. Përpjekja ka filluar në 17 maj, ka qenë e pandërprerë, ka pasur këtë qëllim dhe ka dy dështime të mëdha, vijimi i kësaj rruge kuptohet se ku të çon në 2025”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)






Lini një Përgjigje