Politike

HEC Skavica/ Projekti i qeverisë Berisha dikur me basen më të madh se aktuali

Nga Gazeta ‘SI’ – Në një debat në Kuvend, me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, ish-kryeministri Sali Berisha tha se qeveria e tij kishte planifikuar ndërtimin e Skavicës së vogël, jo atë që do të bëjë sot qeveria Rama. Në fakt, rezulton e kundërta.

Ilir Bejtja, zv. ministër i Energjisë tregoi në një intervistë për Top Channel,  se  projekti qeverisë Berisha ishte shumë më i madh nga ai që ka qeveria Rama, për të njëjtin subjekt. “Ishte planifikuar të kishte një digë në Katund të Ri dhe një në Skavicë. Tani do të ketë vetëm në Skavicë, ul sipërfaqen ujore. Ata e kishin me 2.5 miliardë metër kub ujë tani do të jetë me 1.5 miliardë gati 2/3 e asaj që kishin planifikuar ata.”- tha zv.ministri.

Edhe në dokumentin për projektin midis KESH dhe kompanisë franceze që pritej të ndërtonte HEC-in, theksohej e njëjta gjë.

Vetë projekti “origjinal” i Skavicës, ai i viteve  60-70, ishte i madh, përtej kufijve komëbëtar.

Pajtim Bello, ish-zëvendës ministër i Energjisë dhe ekspert që përpara viteve ‘90 ka treguar detajet historike të këtij projekti, për Gazetasi.al.

“Ideja e parë për ndërtimin e një HEC-i në Skavicë është hedhur gjatë regjimit komunist në vitet ’60-’70. Atëherë pretendimet ishin që hidrocentrali i Skavicës të kishte dyfishin e kapacitetit nga ai i që planifikohet të ndërtohet tani. Baseni i Hidrocentalit të Skavicës sipas asaj që planifikohet tani, do të jetë afërsisht në 445 metra mbi nivelin e detit. Plani i hidrocentralit të parë ishte që baseni i liqenit të shkonte me rreth 20 metra më lart, si dhe do të dilte përtej kufirit të Shqipërisë, pra do të shkonte në territorin e Maqedonisë së Veriut. Në atë kohë ka pasur një marrëveshje ndërshtetërore në të cilën mund të lejohej që liqeni të kalonte në territorin maqedonas duke parë përfitimet reciproke. Por ajo marrëveshje ka rënë pasi ish-Jugosllavia nuk ekziston më si dhe Maqedonia e Veriut nuk e ka ripërtërirë më. Nëse do të bëhej një marrëveshje e re, do të kërkohej një kalvar negociatash e bisedash.”

Qeveria Rama e riktheu projektin e Skavicës në vitin e dytë të mandatit të parë. Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri kreu një takim me konsorciumin kinez.  “Power China Corporation”.

Por ndërkohë që kompanitë kineze kishin dhënë oferta për Skavicën, qeveria shqiptare i dha një kompanie turke bonus për ndërtimin e një hidrocentralit tjetër mbi Drin, atë të Katundit të ri, i cili hapi një debat të madh në vend në lidhje investimet energjetike mbi Drin si dhe dështoi të zbatohej në fund.

Projekti aktual i propozuar nga qeveria e Kryeministrit Edi Rama, sipas Bello, “shfrytëzon gjithë parametrat maksimalë që ofrohen brenda territorit të Shqipërisë”. Kostoja e tij pritet të shkojë rreth 500 milionë euro dhe do të jetë plotësisht e financuar nga shteti shqiptar. Rreth 20 – 30 përqind të këtyre shpenzimeve do ta zejë rivendosja e gjendjes së zonës që përmbytet. Në terminologjinë e ndërtimeve të HEC-eve kjo frazë nënkupton shpronësimin e tokave dhe ndërtimin e rrugëve e të infrastrukturës elektrike e ujore në afërsi të zonës.

Tani, HEC Skavica do të ndërtohet nga amerikanët e Bechtel dhe do të ketë vetëm një digë dhe do të shfrytëzojë me më pak vijë ujore se sa ishte parashikuar . Kosto e ndërtimit të Skavicës është parashikuar rreth 500 milion euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë